Siria pas Assadit: A mund ta udhëheqë kombin një grupim ish-xhihadist?

Siria gjendet në një pikë kthese historike. Pas dekadave në pushtet, dhe i mbështetur prej kohësh nga avionët rusë dhe milicitë pro-iraniane, regjimi i Assadit ka rënë jo në mesin e zhurmës së bombardimeve të artilerisë, por nën një pëshpërimë të ndrydhur.

Dikur shumë i fortifikuar, dhe pas gjysmë shekulli nën kontrollin e familjes Assad, Damasku është tani nën kontrollin e organizatës Hayat Tahrir al-Sham (HTS). E udhëhequr nga Abu Mohammed Al-Jolani – një figurë dikur e lidhur me Al-Kaedën dhe e etiketuar si terroriste nga Uashingtoni, Brukseli dhe OKB-ja – HTS ka dalë nga hiri i xhihadizmit global për të pretenduar administrimin e shtetit sirian.

Deri pak kohë më parë, një transformim i tillë dukej i paimagjinueshëm. Tranzicionet nga kryengritja në qeverisje, ndjekin rrallë një rrugë normale. Këtë lloj realiteti, e kam studiuar në imtësi gjatë kërkimeve në terren për doktoraturën time mbi qeverisjen e rebelëve sirianë, falë punës si korrespondent i BBC dhe si bashkëpunëtor i institutit SWP me qendër në Berlin.

Në Idlib, Qeveria Siriane e Shpëtimit Kombëtar (SSG) e Hayat Tahrir al-Sham (HTS) ishte një test për mënyrën e qeverisjes, duke ofruar energji elektrike, sisteme kanalizimesh dhe bukë për civilët e lodhur nga lufta. Këto përpjekje, treguan një aftësi për qeverisje përtej fushës së betejës, duke lënë të kuptohet se ka ndodhur një ndryshim pragmatik.

Megjithatë, suksesi në një cep të Sirisë – në një mjedis të kontrolluar, dhe me një popullsi relativisht homogjene – mund të mos jetë po i tillë në një komb prej 18 milionë banorësh, ku gjysma janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, dhe ku ka shumë të përçarë sipas linjave sektare, etnike dhe politike.

Siria nuk është një fletë bosh. Një prift i krishterë, mund të mbajë ende shërbesa fetare në Aleppo. Kurdët kanë një farë autonomie në verilindje; ndërsa kujtimet e mizorive të ISIS-it dhe burgjeve të Assadit, e kanë lënë dërrmuar psikikën kombëtare. Por qeverisja e një krahine të vetme, është e ndryshme nga qeverisja e një kombi të tërë.

Nga puna ime në terren, kam zbuluar 3 sfida të rëndësishme me të cilat përballet çdo fraksion që hyn në Damask. E para është legjitimiteti: qeverisja e Idlibit nënkuptonte rivendosjen e shërbimeve bazë si energjia elektrike dhe shpërndarja e bukës. Ndërkohë Damasku kërkon një burokraci shumë më komplekse.

Brenda disa ditësh nga marrja e Aleppos, HTS dërgoi ekipe për të rregulluar infrastrukturën dhe për të ruajtur rendin. Por menaxhimi i një popullsie multietnike dhe multifetare do të kërkojë garanci kushtetuese, besim tek gjykatat dhe një kornizë mbrojtëse për pakicat.

Sfida e dytë, ka të bëjë me njohjen ndërkombëtare. Jolani e refuzon sot etiketimin si “terrorist”, duke deklaruar për CNN se ky është emërtim “politik dhe i gabuar”. Megjithatë, kapitalet e huaja, investitorët dhe ojq-të ngurrojnë të angazhohen shumë me një grup që dikur e përkrahte xhihadin e armatosur. Vetëm fjalët nuk do të zhdukin frikën e vjetër.

Sfida e tretë, ka të bëjë me opozitën e brendshme. Dikur HTS qeveriste zonën e saj me  grusht të hekurt, duke burgosur dhe torturuar aktivistët. Tani, ajo duhet të lejojë hapësirë për mendimet e kundërta, lejojë gratë të dalin të pambuluara në publik apo të tolerojë ushtrimin hapur të besimit nga të krishterët, dhe këto të përkthehen në reforma të vërteta strukturore.

Gjatë javëve të fundit, HTS pushtoi Aleppon, Hamas dhe Homsin dhe së fundmi Damaskun me një lehtësi të habitshme. Rusia dhe Irani, dikur mbështetës të palëkundur të Assadit, duket se e humbën interesin për të mbështetur një anije që po fundosej.

Shtetet arabe që e mirëpritën me gjysmë zemre rikthimin e Assadit në organizatat e tyre rajonale, po përpiqen tani të reagojnë në përputhje me kushtet e reja. Ndërkohë, qeveritë perëndimore dyshojnë në sinqeritetin e metamorfozës së HTS, teksa kompanitë e mëdha dhe institucionet financiare ndërkombëtare po tregohen shumë të kujdesshme.

Rëndësia ekonomike dhe strategjike e rajonit, si një lidhje midis korridoreve tregtare dhe rrugëve të energjisë, mbetet në plan të dytë. Sepse kush mund të investojë në një shtet të drejtuar aktualisht nga një njeri, për kokën e te cilit janë vënë 10 milionë dollarë?

Deklaratat e para të Jolanit nuk lënë vend për dyshime: “Ne po flasim për një qeverisje të përafruar me traditat e këtij rajoni”, thotë ai, duke këmbëngulur se “askush nuk ka të drejtë të zhdukë një grup tjetër”. Të lejosh gratë të mos mbulohen kur dalin në publik, t’i lejosh të krishterët të kryejnë shërbime pa u ngacmuar, janë sinjale pragmatike.

Por hendeku midis imazhit dhe institucionit mbetet i madh. Që të zgjerojë stabilitetin relativ të arritur në Idlib tek një komb i tërë, HTS duhet të integrojë fraksionet rivale, të respektojë diversitetin fetar dhe etnik, si dhe t’u japë komuniteteve lokale zë mbi çështjet e tyre.

Pa një ndarje të vërtetë të pushtetit, ai rrezikon të përsërisë të njëjtin model autokracie që pretendon të zëvendësojë. Modelet e kaluara ofrojnë mësime por edhe paralajmërime. Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, ndërtuan një rend lokal mbresëlënës me mbështetjen e SHBA-së, por nuk aspiruan të sundonin në të gjithë Sirinë.

Ushtria Kombëtare Siriane e mbështetur nga Turqia, u përball me fraksionizmin dhe korrupsionin. Ndërsa  i ashtuquajturi kalifat i ISIS, ofronte vetëm brutalitet. Qasja hibride e HTS – pjesërisht ideologjike e pjesërisht teknokratike – e mbajti Idlibin të bashkuar, por a mund të udhëheqë në një peizazh shumë më të ndërlikuar, pa përdorur zakonet e vjetra represive?

E ardhmja e Sirisë varet në fije të perit. Zgjedhja nuk është midis opsioneve ideale, por midis atyre më të mundshme. Ndërsa rrugët e Sirisë po mbushen me pastrues të mbeturinave në vend të luftëtarëve, ne do të shohim ose lindjen e një shteti të ri sirian, ose preludin e krizës së tij të ardhshme. Përshtatur nga “Forbes”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit