Një ngjarje e rëndë tronditi Greqinë dy ditë më parë (5 dhjetor) ku një shqiptar masakroi me çekiç gruan e tij dhe e fshehu trupin e viktimës në papafindon e banesës.
Çifti, ishin prindër të dy fëmijëve dhe jetonin në Ambelokipi të Athinës.
Ishte vetë autori i krimit, Kastriot Cenko i cili telefonoi policinë duke u thënë se ka vrarë Albën që prej së enjtes, dhe se trupin e ka fshehur në papafingon e banesës ku jetonin.
Para efektivëve ai ka pretenduar se krimin e ka kryer pasi kishte dyshime se gruaja e tradhtonte me shokun e tij të ngushtë dhe se e ka dëgjuar që të flasë në telefon.
Ka qenë ky moment sipas tij, kur ai ka marrë një çekiç dhe e ka qëlluar e më pas e ka mbytur me fishën e karikuesit.
“Ndërsa fëmijët flinin diku rreth orës 01:30, u zgjova dhe pashë që ajo nuk ishte në krevat. Ajo ishte në banjë duke folur në telefon. E dëgjova të thoshte se do të merrte djalin tonë të madh dhe do të largohej, ndërsa zëri i një burri tingëllonte në anën tjetër të telefonit. I thashë të vinte në dhomë për të folur. E pyeta se kush ishte dhe ajo më tha se nuk ishte askush dhe se po shikonte video. Pas pak ajo pranoi se po fliste me një burrë dhe se do të merrte fëmijën e madh dhe do të largohej”, ka thënë ai në polici.
Ndërsa në dhomën ngjitur flinin dy djemtë e tyre të mitur, 39-vjeçari pas krimit mendonte skenarin e zhdukjes së trupit. Fillimisht ai e ka mbështjellë me një çarçaf dhe e ka futur në pas raftit në dhomën e gjumit. Ditën tjetër pasi fëmijët janë larguar nga banesa, 39-vjeçari ka e ka mbështjellë trupin e viktimës edhe me disa qese dhe e ka dërguar në pjesën e papafingos së ndërtesës ku banonin.
Veprimet e marra më pas, sërish i përkisnin një skenari të zi, ku ai u shkruante familjarëve të së ndjerës me numrin e saj të telefonit, duke u thënë se po largohet drejt Italisë me një shok dhe që të mos e kërkonin, e aq më pak ta denonconin te organet përkatëse.
Por duket se skenari, i menduar e përpunuar për 7 ditë, për të fshehur këtë krim monstruoz nuk doli sipas asaj që Cenko kishte menduar, duke u detyruar që të pranojë dhe të rrëfejë vrasjen në polici.
Pas zbardhjes së detajeve të kësaj vrasje, ku bashkëshorti masakron gruan në Greqi dhe e fsheh në ambientet e banesës, të vjen ndërmend një tjetër krim monstruoz. Ajo e vrasjes së 20-vjeçares Caroline Krauts nga bashkëshorti i saj, piloti monstër Babis Anagnostopoulos, ngjarje e ndodhur po në shtetin fqinj.
Piloti grek e cilësoi vrasjen e bashkëshortes si grabitje. Për ta bërë akoma më të besueshme, ai vrau edhe qenin e tyre. I gjithë krimi ndodhi në sy të vogëlushes së tyre 11 muajshe.
Të dyja gratë në Greqi u vranë nga burrat e tyre, njëra me vajzën pranë shtratit, e tjetra me dy djemtë pak metra larg, në dhomën ngjitur.
Edhe një herë skenari i pilotit monstruoz Babis, për fat të keq është marrë shembull nga shqiptarët. Më herët një ngjarje e rëndë e ngjashme tronditi Kosovën, ku u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, Liridona Ademaj. Viktima u ekzekutua në sy të dy djemve të saj. Ishte Naim Murseli ai i cili kishte planifikuar vrasjen në mënyrë të detajuar që të cilësohej si grabitje, por pas krimit ishte fshehur vetë ai.









