Me rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, ekziston rreziku që angazhimi i SHBA-së në Evropë të zbehet shumë shpejt.
Në rast se Shtetet e Bashkuara e ndërpresin ndihmën e tyre ushtarake për Kievin, pasojat do të jenë të rënda, si për luftën në Ukrainë, ashtu edhe për mbrojtjen e pjesës tjetër të Evropës kundër kërcënimeve të jashtme, ku më kryesorja vjen nga një Rusi revanshiste.
Ndonëse mandati i dytë i Trump ka shumë të ngjarë të sjellë një shkëputje radikale nga politika e mëparshme e SHBA-së, e vërteta është se pakënaqësia në Uashington me kontributin evropian në marrëdhëniet transatlantike ka ekzistuar prej vitesh.
Por Evropa ka humbur sërish një kohë shumë të vlefshme, të cilën duhej ta kishte përdorur për të investuar më shumë në marrëdhëniet e saj me Amerikën, por duke mos harruar ndërtimin e mbrojtjes së saj. Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, duhet të ishte zilja e fundit e zgjimit.
Mjerisht, edhe këtë herë, ajo u mbështet tek udhëheqja e Shteteve të Bashkuara. Por tani gjërat mund të ndryshojnë dhe udhëheqësit evropianë nuk mund ta transferojnë tek Uashingtoni fajin për gjendjen e tyre të vështirë. Përkundrazi, ata duhet të veprojnë me vendosmëri për të çuar përpara një strategji të unifikuar për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të kontinentit.
Ekziston rreziku që Donald Trump të arrijë një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin për të ngrirë luftimet në vijën aktuale të frontit. Putin e kupton se sapo Trump të hyjë në negociata, ai do të përballet me presionin e brendshëm për të mbyllur sa më shpejt një marrëveshje.
Putin nuk e ka një kufizim të tillë. Dhe ky çekuilibër i jep këtij të fundit një avantazh, dhe çdo marrëveshje që do të dalë nga bisedime të tilla, nuk ka gjasa që të përfshijë ndonjë mbrojtje të përshtatshme për Ukrainën, dhe rrjedhimisht edhe për Evropën, kundër agresionit të ardhshëm rus.
Në këto kushte, Evropa s’ka zgjidhje tjetër përveçse të menaxhojë vetë sigurinë e saj. Nuk ka asnjë dyshim se ajo e zotëron potencialin ekonomik për ta bërë këtë. PBB-ja e përbashkët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, është afërsisht 10 herë më e madhe se ajo e Rusisë.
Ajo që e pengon Evropën është mungesa e vullnetit politik. Kjo është më e dukshme kur flitet për mbështetjen ushtarake për Ukrainën: Koreja e Veriut, e prapambetur teknologjikisht dhe ekonomikisht, vlerësohet se e ka furnizuar Rusinë gjatë vitit të kaluar me më shumë predha artilerie se sasia që e gjithë BE-ja i ka dhënë Ukrainës gjatë të njëjtës periudhë.
Dhe kjo ndonëse blloku ka një bazë të fortë industriale si dhe 4 nga 10 eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë. Evropa duhet të rrisë me shpejtësi aftësitë e saj mbrojtëse. Por
ky projekt kërkon udhëheqje politike, e cila është aktualisht e vështirë për t’u siguruar.
Në Gjermani, ka rënë qeveria e koalicionit, dhe politikanët do t’i kalojnë muajt e ardhshëm duke u marrë me përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme të 23 shkurtit dhe me negociatat për ndërtimin e koalicionit të ri qeveritar. Në Francë, presidenti Emmanuel Macron e humbi shumicën e tij parlamentare këtë verë, duke e lënë më të dobët politikisht.
Ndërkohë, mbeten të tensionuara marrëdhëniet e BE-së me Mbretërinë e Bashkuar, një nga fuqitë ushtarake më të mëdha të Evropës, edhe pse të dyja palët po bëjnë përpjekje të sinqerta për ta përmirësuar bashkëpunimin. Fatmirësisht, anëtarët e tjerë të BE-së si Polonia, shtetet baltike dhe vendet nordike, janë të gatshme që të marrin drejtimin e këtij procesi.
Kryeministri polak Donald Tusk, po përpiqet të bëjë bashkë shtetet kryesore evropiane të NATO-s për përmirësimin e koordinimit të ndihmës ndaj Ukrainës, dhe për të rritur mbështetjen për Kievin. Por që të ketë sukses, çdo përmirësim i konsiderueshëm i mbrojtjes do të ketë nevojë edhe për fuqinë ekonomike dhe ndikimin politik të Gjermanisë.
Dhe kjo do të thotë se qeveria e re në Berlin, duhet të marrë seriozisht sfidat e sigurisë së kontinentit, dhe të jetë e gatshme të shpenzojë shumë para për këtë projekt. Duke parashikuar një tërheqje të mbështetjes së SHBA-së, Evropa duhet të rrisë ndjeshëm mbështetjen e saj financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
Sipas Institutit Kiel, ndihma e përbashkët ushtarake që Gjermania, Franca dhe Britania i kanë dhënë Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë, është më pak se gjysma e asaj që i kanë dërguar Kievit Shtetet e Bashkuara. Edhe pse boshllëku që mund të krijohet nga SHBA-ja mund të mos mbyllet menjëherë, synimi duhet të jetë përafrimi i kapaciteteve.
Së pari, vendet e BE-së duhet t’i drejtohen tregjeve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të blerë sisteme armësh dhe municionesh, të cilat Evropa nuk mundet ende që t’i prodhojë vetë në sasi të mjaftueshme. Sidomos Gjermania duhet të ndërmarrë hapa që i ka vonuar për një kohë të gjatë: dërgimin në Ukrainë të raketave të sj me rreze të gjatë, Taurus, dhe heqjen e kufizimeve për goditjen e objektivave ushtarake brenda Rusisë.
Ndërkohë nëse Evropa dëshiron vërtet që të garantojë vetë sigurinë e saj, në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, BE-ja duhet të rishikojë aftësitë dhe industrinë e saj të mbrojtjes. Tani për tani, Evropa e blen jashtë pjesën më të madhe të armëve të saj. Kjo praktikë duhet të marrë fund.
Për ta arritur këtë, Evropa duhet të kapërcejë interesat vetjake kombëtare, të cilat i trajtojnë industritë e mbrojtjes thjesht si zgjatime të politikës industriale së brendshme. Këto industri duhet të reformohen për t’i shërbyer interesave të sigurisë kolektive të Evropës.
Kjo do të kërkojë që fuqitë më të mëdha ushtarake të kontinentit – Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Britania e Madhe – të udhëheqin zhvillimin e një strategjie të përbashkët evropiane. Në praktikë, procesi do të përfshijë shtimin e prodhimit dhe uljen e kostove duke integruar çdo pjesë të ciklit të prodhimit, nga planifikimi i aftësive tek zhvillimi dhe blerja.
Nëse ky integrim menaxhohet me sukses, industria evropiane e mbrojtjes mund të konkurrojë me nivelin e sektorit të mbrojtjes amerikane. Dështimi për t’i dhënë sot përparësi përmirësimit drastik të mbrojtjes, do ta linte Evropën shumë të cenueshme ndaj agresionit të vazhdueshëm rus.
Mbajtja e Shteteve të Bashkuara si një partner i ngushtë në fushën e sigurisë, është padyshim në interesin e Evropës. Por kjo kërkon që Evropa të jetë pro-aktive, duke u angazhuar në mënyrë konstruktive me Uashingtonin për të krijuar një ekuilibër të ri të përgjegjësive, dhe për të diskutuar qëllimet e përbashkëta të sigurisë.
Tani i takon evropianëve që të përmbushin potencialin e kontinentit si një aktor i besueshëm i sigurisë, duke shpëtuar kështu marrëdhëniet transatlantike, dhe duke kontrolluar ambiciet imperialiste të Rusisë. Nëse dështon kjo përpjekje – dhe nëse zbehet mbështetja e SHBA çmimi do të jetë i lartë.
Pa mbrojtje të forta që e frenojnë, Putini nuk do të ketë arsye të ndalet vetëm në Ukrainë. Pas dekadash paqeje relative, lufta mund të bëhet sërish një pjesë e përhershme e politikës evropiane.






