Presidentja Vjosa Osmani në adresimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“E përderisa ushtria jonë çdo ditë po furnizohet me armatim modern dhe po forcon kapacitetet për mbrojtje të vendit nga çdo rrezik, nuk duhet të harrojmë se kapaciteti dhe pasuria më e madhe që ka Kosova, e rrjedhimisht edhe ushtria jonë, janë pikërisht njerëzit brenda saj. Prandaj, mirëqenia ekonomike e sociale e ushtarakëve tanë, motivimi i tyre e mbështetja e avancimit të tyre profesional duhet të poashtu të shndërrohen në prioritet, sepse jo rastësisht në ushtri asnjëherë nuk flitet vetëm për rekrutim, por flitet për “rekrutim dhe mbajtje – ose që ndërkombëtarisht njihet si ‘recruitment and retainment’”, në mënyrë që një ushtri t`i arrijë kapacitetet e plota operacionale”, tha Osmani në adresimin vjetor.
“Prandaj kam mbështetur vazhdimisht kërkesat që ushtarakëve tanë t’u mbulohen shtesat e rrezikshmërisë, shtesat për punë pas orari, mëditjet për trajnime që zgjasin mbi një muaj si dhe programet e tjera mbështetëse të cilat do të siguronin që njerëzit më të mirë e më të kualifikuar të vazhdojnë avansimin brenda FSK-së. Armatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por ai ka kuptim vetëm kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar e i mbështetur. Në këtë frymë, angazhimi ynë i çdoditshëm duhet të jetë në drejtim të arritjes së këtij qëllimi që është thellësisht në interes të shtetit tonë”.
Ajo ka ftuar deputetët të amendamentojnë buxhetin për të përfshirë shtesat dhe mëditjet për ushtarakët e FSK-së.
“Ndaj, të nderuar deputetë, hapin e parë mund ta bëni qysh sot. Praktika e Kuvendit ju lejon, nëpërmjet procedurës së shmangies, të paraqisni amendamente edhe në seancë. Shfrytëzojeni këtë mundësi që të propozohet që buxhetit të FSK-së, t’i shtohet shuma e duhur në mënyrë që ushtarakët tanë të kenë shtesat e rrezikshmërisë, ato jashtë orarit të punës, si dhe mëditjet për trajnime mbi një muaj. Ky do të ishte kontribut i jashtëzakonshëm në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe një lajm i mirë në fundvit për secilin që sot i shërben atdheut. Si alternativë, kjo çështje do të duhej të shqyrtohej në momentin e parë të rishikimit të buxhetit”.
“Efikasiteti dhe efektiviteti i operacionalitetit të FSK-së, krahas ndjenjës së detyrës dhe përgjegjësisë ndaj kushtetutës dhe atdheut, është i ndërlidhur ngushtë edhe me shkallën e mirëqenies sociale e ekonomike të tyre dhe familjeve të tyre”.
“Prandaj, edhe kam propozuar programin shtetëror për mbështetjen e FSK-së në 8 pika tashmë të publikuara, përmbushja e të cilave, në fazën finale të tranzicionit për kompletimin e aftësive dhe kapaciteteve të plota operacionale, do të ndikonte fuqishëm në ndërtimin e FSK-në edhe më profesionale, edhe më të motivuar, edhe më të fortë”, tha Osmani.






