Para protestës së 28 Nëntorit, Shqipëria përgatit listën e re të personave “Non grata”?

Protesta kombëtare e paralajmëruar për 28 Nëntor në Tiranë ka vënë në lëvizje strukturat e sigurisë në Shqipëri, veçanërisht Drejtorinë e Antiterrorit pranë Policisë së Shtetit.


Sipas raportimeve të mediave në Tiranë, autoritetet shqiptare kanë shtuar masat parandaluese, duke e përqendruar vëmendjen edhe te aktorët joshtetërorë, grupet e organizuara radikale dhe individët nga vendet e rajonit, për të cilët dyshohet se mund të jenë të përfshirë në agjendat e shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Burime të mediave shqiptare bëjnë të ditur se, krahas masave të shtuara të sigurisë, është përgatitur edhe një listë me persona që konsiderohen potencialisht të rrezikshëm për rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.


“Bëhet fjalë kryesisht për shtetas të huaj me kombësi shqiptare, të cilët, sipas këtyre burimeve, janë evidentuar nga strukturat e sigurisë dhe mund t’u nënshtrohen kontrolleve të shtuara dhe marrjes në pyetje gjatë tentativës për të hyrë në territorin shqiptar”, raportojnë mediat në Shqipëri.

Sipas informacioneve që pretendohet se disponon Antiterrori shqiptar, disa prej këtyre individëve dyshohet se marrin mbështetje logjistike dhe financiare përmes organizatave joqeveritare, të cilat mund të kenë lidhje me aktorë shtetërorë të interesuar për destabilizimin e Shqipërisë dhe cenimin e sigurisë kolektive të vendeve anëtare të NATO-s.

Shqetësimi i strukturave shqiptare të sigurisë nuk lidhet vetëm me menaxhimin e protestës së paralajmëruar. Autoritetet druajnë se tubimi qytetar mund të shfrytëzohet nga individë apo grupe të organizuara për të provokuar incidente, për të përshkallëzuar situatën dhe për t’u përplasur me forcat e rendit.


Sipas të njëjtave burime, rreziku që po vlerësohet nga Antiterrori nuk lidhet domosdoshmërisht me shpërthimin spontan të dhunës, por me dyshimet për një organizim të paramenduar, përmes të cilit protesta mund të përdoret për realizimin e agjendave destabilizuese.

Një pjesë e veçantë e masave të sigurisë ka të bëjë me mundësinë e përfshirjes së individëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të rajonit, të cilët, sipas burimeve, janë evidentuar më herët për nxitjen, organizimin apo pjesëmarrjen në akte dhune.


Në këtë drejtim, strukturat shqiptare të sigurisë, në koordinim me partnerët rajonalë, thuhet se po përgatiten për identifikimin paraprak të personave që mund të paraqesin rrezik për sigurinë publike dhe për parandalimin e hyrjes së tyre në Shqipëri.

Shkëmbimi i informacioneve ndërmjet institucioneve ligjzbatuese të vendeve të rajonit, si dhe intensifikimi i kontrolleve në pikat kufitare, pritet të jenë ndër komponentët kryesorë të masave parandaluese në prag të 28 Nëntorit.


Personave të huaj, për të cilët autoritetet disponojnë të dhëna konkrete për përfshirje në veprimtari të dhunshme apo cenim të sigurisë publike, mund t’u refuzohet hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, informacione që ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht flasin për përgatitjen e një liste të re me persona të padëshirueshëm (non grata) nga strukturat e Antiterrorit në Shqipëri.

Në këtë listë dyshohet se mund të përfshihen edhe shtetas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Gjatë këtij viti, autoritetet shqiptare kanë shpallur persona të padëshirueshëm Valon Belën dhe Bekir Halimin nga Maqedonia e Veriut, si dhe Ikballe Hudutin nga Kosova.

Vendimet për ta janë arsyetuar me pretendimin se këta persona kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë e Shqipërisë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit