Policia e Kosovës ka raportuar për 3 raste të hetimit të vdekjeve në Prishtinë, Suharekë dhe Rahovec.
Në rrugën “Besa” në Prishtinë, një burrë është gjetur pa shenja jete në banesën ku jetonte i vetëm.
“Pasi viktima kishte qenë duke jetuar i vetëm në banesë, dera e banesës është hapur nga zjarrfikësit”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërkohë, në fshatin Leshan të Suharekës, një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë ku jetonte. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Një rast tjetër është raportuar në Rahovec, ku një burrë ishte dërguar nga familjarët në gjendje të rëndë shëndetësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Me rekomandim të mjekëve viktima është nisur për trajtim për në Spitalin e Gjakovës dhe gjatë rrugës ka humbur jetën”, njofton Policia.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.









