Mashtrim ndaj shtetit me derivate | HIB Petrol dhe zyrtari i saj të akuzuar për shmangie doganore

Dokumentet që, sipas Prokurorisë, nuk ishin nënshkruar nga Zyra Ndërlidhëse Greke dyshohet se u përdorën për shmangien e 545 mijë eurove në akcizë dhe TVSH. Në qendër të rastit është menaxheri i kontraktimeve të HIB Petrolit, Fatbardh Xhaferi, i cili para hetuesve doganorë kishte folur për komunikimet me personin “Nazi” dhe pagesat në llogarinë e kompanisë. HIB Petrol mohon përgjegjësinë dhe pretendon se është palë e dëmtuar nga veprimet e individëve të caktuar. Kompania thotë se pagesa e detyrimeve të kërkuara nga Dogana nuk nënkupton pranim të përgjegjësisë penale

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë, e më pas edhe aktakuzë të plotësuar, ndaj kompanisë “HIB Petrol” SH.P.K. dhe menaxherit të kontraktimeve të saj, Fatbardh Xhaferit.

Sipas Prokurorisë, kompania dhe zyrtari i saj dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të përfituar lirim nga detyrimet doganore gjatë importit të derivateve.

Shuma e pretenduar e shmangies, që përfshin akcizën dhe TVSH-në, arrin në 545 mijë e 389 euro. Dokumentet e Prokurorisë përshkruajnë mënyrën se si dyshohet se është realizuar kjo skemë, rolin që kishte Xhaferi në komunikimin me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë dhe deklaratat e dhëna nga personat e përfshirë në këtë rast.

Sipas aktakuzës së qershorit të 2025-ës, aktakuzës e plotësuar në vitin 2026 dhe aktvendimit për fillimin e hetimeve të marsit 2022, veprimet për të cilat akuzohen të pandehurit dyshohet se kanë ndodhur nga 1 janar 2019 deri me 12.03.2022 në Prishtinë”. Çështja penale kishte nisur pas ndalimit të Fatbardh Xhaferit më 18 mars 2022, në orën 09:00, ndërsa një ditë më pas, më 19 mars 2022, Prokuroria kishte nxjerrë aktvendimin për fillimin e hetimeve.

Në dokumentet e Prokurorisë, HIB Petrol figuron me pronar HIB Holding dhe aksionar të vetëm Ibrahim Bucaliun. Në këtë çështje, kompania përfaqësohet nga Korab Sejdiu, ndërsa mbrohet nga avokati Granit Vokshi. Fatbardh Xhaferi, i cili në kohën e veprimeve të pretenduara ishte menaxher i kontraktimeve në kompani. Prokurorinë në këtë rast e përfaqëson prokurori Besart Mustafa.

Si e përshkruan Prokuroria skemën e HIB Petrolit dhe Fatbardh Xhaferit

Në aktakuzë, Prokuroria shpjegon se Fatbardh Xhaferi, “në cilësi të personit përgjegjës të personit juridik HIB Petrol SH.P.K, duke qenë i punësuar menaxher i kontraktimeve”, dyshohet se kishte paraqitur në Doganë dokumente të falsifikuara me qëllim të shmangies nga pagesa e detyrimeve tatimore, doganore dhe akcizore gjatë importimit apo eksportimit të mallrave.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, bëhet fjalë për dokumente që pretendohej se ishin lëshuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë, përmes të cilave synohej lirimi nga detyrimet përkatëse. Në aktakuzë përmenden konkretisht “dokument të rrejshëm, dokumentet për lirimin, kinse të lëshuara nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë dhe kontratat e shitblerjes ndërmjet HIB Petroll me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Prishtinë”.

Një nga elementet kryesore mbi të cilat mbështetet akuza e shtetit është përgjigjja e vetë Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Prishtinë.

Sipas dokumentit të akuzës, nga kjo përgjigje rezulton se dokumentet e paraqitura “nuk janë të nënshkruar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë”.

Pra, sipas Prokurorisë, dokumentet që ishin përdorur për të kërkuar lirimin nga detyrimet doganore nuk ishin nënshkruar nga institucioni që pretendohej se i kishte lëshuar ato.

Për këto veprime, HIB Petrol SH.P.K., në lidhje me përgjegjësinë penale të personave juridikë sipas nenit 5 të Ligjit nr. 04/L-030, si dhe Fatbardh Xhaferi akuzohen për dy vepra penale: “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”, nga neni 312, paragrafi 4 i KPRK-së, dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 2 i KPRK-së.

Sipas llogaritjeve të paraqitura në dokumentet e Prokurorisë, detyrimet e pretenduara të shmangura ndahen në këto shuma: Akciza:382 235 euro; TVSH-ja: 163 154.1 euro; Gjithsej shmangie: 545 389 euro.

Këto janë shumat që Prokuroria i paraqet si detyrime të shmangura në këtë rast, ndërsa përgjegjësia penale e të akuzuarve mbetet të vërtetohet në procedurë gjyqësore.

Në një përgjigje të dërguar për Insajderin, HIB Petrol ka mohuar çdo përgjegjësi në këtë rast, duke deklaruar se e konsideron veten palë të dëmtuar. Kompania pretendon se e gjithë çështja lidhet me keqpërdorimin e autorizimeve dhe pozitës nga individë të caktuar, për qëllime të përfitimit individual, pa asnjë përfshirje të HIB Petrolit.

“Të gjitha provat do të paraqiten dhe sqarohen në kuadër të procedurës”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

HIB Petrol ka kundërshtuar gjithashtu që pagesa e detyrimeve shtesë të interpretohet si pranim i përgjegjësisë penale. Sipas kompanisë, këto pagesa janë bërë për shkak se Dogana e Kosovës kishte nxjerrë vendime përfundimtare në procedurë administrative, të cilat përbënin obligim ligjor dhe ishin subjekt i ekzekutimit të detyrueshëm.

Megjithatë, kompania thotë se këto vendime administrative i ka kontestuar dhe se ligjshmëria e tyre do të vlerësohet nga gjykata kompetente. Për këtë arsye, HIB Petrol thekson se përmbushja e detyrimeve të përcaktuara nga Dogana nuk përbën pranim të ndonjë përgjegjësie penale.

Kompania ka deklaruar se ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet gjatë trajtimit të këtij rasti, përfshirë Doganën e Kosovës dhe Prokurorinë, dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin për zbardhjen e plotë të rrethanave. HIB Petrol ka përsëritur se mbetet e përkushtuar të kontribuojë në sqarimin e çështjes.

Rasti nisi pas kallëzimit penal të Doganës së Kosovës

Për të kuptuar se si kishte nisur hetimi ndaj HIB Petrolit dhe Fatbardh Xhaferit, aktvendimi për fillimin e hetimeve i 19 marsit 2022 jep hollësi për rrugën që kishte ndjekur rasti para se të arrinte në Prokurori.

Aktvendimi për fillimin e fazës së hetimeve që ishte nxjerrë më 19 mars 2022 shpjegon se Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, më 18 mars 2022 kishte pranuar kallëzimin penal të Doganës së Kosovës, përkatësisht Sektorit të Hetuesisë.

Pas pranimit të kallëzimit dhe shqyrtimit të dokumenteve përcjellëse, Prokuroria kishte vlerësuar se kishte bazë për nisjen e hetimeve. Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të të dhënave nga kallëzimi penal dhe shkresave të tjera të lëndës, ekzistonte “dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit i kanë kryer veprat penale”.

Prokuroria kishte arsyetuar se hetimi duhej të fillonte “me qëllim që gjatë procedurës hetimore të mblidhen prova dhe të dhëna, në bazë të cilave do të vendoset për ngritjen e aktakuzës apo pushimin e procedurës”.

Në të njëjtin aktvendim jepen edhe të dhënat e hollësishme për Fatbardh Xhaferin, të njohur me nofkën “Bardhi”.

Sipas aktvendimit, Xhaferi ishte ndaluar më 18 mars 2022, në orën 09:00. Ndërkaq, në aktakuzë përshkruhen edhe masat që ishin caktuar ndaj tij pas ndalimit: nga 18 marsi 2022 deri më 18 korrik 2022 kishte qenë nën arrest shtëpiak, ndërsa nga 18 korriku 2022 deri më 17 gusht 2022 kishte qenë nën masën e paraqitjes në stacion policor.

Deklarata e Xhaferit për komunikimin me grekët dhe pagesat në llogarinë e HIB-it

Në aktakuzë pasqyrohen edhe deklaratat e personave të intervistuar gjatë hetimeve, të cilat lidhen me mënyrën se si realizohej komunikimi me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë dhe me pagesat që, sipas deklarimeve, kalonin përmes llogarisë së HIB Petrolit.

Dëshmitarja Luljeta Mahmuti, para hetuesve doganorë, kishte deklaruar se “Fatbardhi është marrë me pjesën e ambasadave”. Ky deklarim përmendet në aktakuzë në mesin e provave që lidhen me rolin e Fatbardh Xhaferit në komunikimet përkatëse.

Vetë Xhaferi, në deklaratën e dhënë para hetuesve doganorë më 18 mars 2022, kishte folur për mënyrën se si zhvillohej komunikimi me Zyrën Ndërlidhëse Greke. Ai kishte deklaruar se “komunikimi me zyrën ndërlidhëse greke është bere përmes personit Nazit, me numër telefoni 049/182…”.

Në të njëjtën deklaratë, Xhaferi kishte treguar edhe se si, sipas tij, realizoheshin pagesat. “Pagesat i kane deponuar në llogari të HIB përtrollit me numër te faturës”, kishte deklaruar ai para hetuesve doganorë.

Por, kur Xhaferi u paraqit para prokurorit më 9 shkurt 2024, qëndrimi i tij ishte ndryshe. Në vend që të jepte një deklaratë për rastin, ai kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje. “Dëshiron të mbrohet në heshtje”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

Kështu, në dokumentet e hetimit pasqyrohen dy momente të ndryshme të deklarimit të tij: fillimisht, para hetuesve doganorë, Xhaferi kishte folur për personin përmes të cilit zhvillohej komunikimi me zyrën greke dhe për deponimin e pagesave në llogarinë e HIB Petrolit; ndërsa para prokurorit kishte zgjedhur të mos deklarohej.

Përfaqësuesi i HIB Petrolit u mbrojt në heshtje, avokati tha se detyrimet ishin shlyer

Në këtë rast, para Prokurorisë ishte intervistuar edhe përfaqësuesi i autorizuar i HIB Petrolit, Korab Sejdiu, i cili në dokumente figuron si menaxher i kontraktimeve.

Sejdiu kishte dhënë deklaratë më 18 mars 2025. Pas konsultimit me avokatin Granit Vokshi, ai kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje, njësoj siç kishte vepruar edhe Fatbardh Xhaferi gjatë deklarimit të tij në Prokurori.

Megjithatë, avokati Granit Vokshi kishte paraqitur qëndrimin e mbrojtjes lidhur me detyrimet doganore që ishin konstatuar gjatë kontrollit të kompanisë.

Sipas deklarimit të mbrojtësit, “si rezultat i kontrollit nga ana e Doganës së Kosovës, ku kanë rezultuar disa detyrime doganore siç janë akciza dhe TVSH, kompania Hib Petrol SH.P.K. në bazë të vlerës së detyrimeve të caktuara nga ana e doganës ka bërë marrëveshje dhe ka shlyer të gjitha detyrimet duke përfshirë edhe këto detyrime”.

Pra, përderisa Prokuroria në aktakuzë pretendon se janë shmangur detyrime doganore dhe akcizore në vlerë prej mbi 545 mijë eurosh, mbrojtja e HIB Petrolit ka deklaruar se kompania i ka shlyer detyrimet e përcaktuara nga Dogana e Kosovës, përfshirë edhe ato që lidhen me akcizën dhe TVSH-në.

Ky është qëndrimi i paraqitur nga mbrojtësi i kompanisë në Prokurori, ndërsa pretendimet penale të ngritura në aktakuzë mbeten objekt i shqyrtimit gjyqësor.

Telefonat, faturat dhe ekspertiza financiare në mesin e provave të Prokurorisë

Përveç deklaratave të personave të përfshirë në këtë rast, Prokuroria ka propozuar edhe një numër dokumentesh dhe provash që lidhen me importin e derivateve, kërkesat për lirim nga taksat dhe komunikimet e zhvilluara gjatë periudhës së hetuar.

Në mesin e provave të propozuara në aktakuzë janë deklaratat unike doganore dhe dokumentet përcjellëse të tyre. Po ashtu, përmenden shkresat nga sektori i kontrollës pas-importuese te subjekti “HIB Petroll”, si dhe faturat që ishin dorëzuar nga Fatbardh Xhaferi.

Prokuroria ka përfshirë në listën e provave edhe kërkesat dhe kontratat për lirim nga taksat, dokumente që lidhen drejtpërdrejt me pretendimin se kompania kishte përdorur dokumentacion për të përfituar lirimin nga detyrimet doganore.

Një pjesë tjetër e provave përbëhet nga raporti i ekzaminimit të telefonave dhe SIM-kartelave. Këto dokumente janë pjesë e materialit të propozuar nga Prokuroria për shqyrtimin e rastit dhe lidhen me komunikimet që janë trajtuar gjatë hetimeve.

Në mesin e provave është edhe ekspertiza financiare e ekspertit Ramadan Ferizi, e datës 24 shkurt 2025.

Pra, përveç dokumenteve doganore dhe faturave, Prokuroria mbështetet edhe në ekzaminimin e pajisjeve telefonike dhe në ekspertizën financiare për të argumentuar pretendimet e saj ndaj të akuzuarve.

Në këtë çështje penale figurojnë të akuzuar edhe Hajdar Hajdari dhe kompania “ALFA TRADE” Sh.P.K., Jashar Gjoka, ndërsa në aktakuzën e plotësuar është tërhequr ndjekja ndaj biznesit individual “N.T. FER Petroll”. Në mesin e personave të akuzuar figuron edhe Nazmi Kastrati.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit