Një zyrtar i Doganës së Kosovës është sulmuar të martën në Podujevë, pasi një person dyshohet se e ka goditur me veturë, në momentin kur atij i ishte dhënë urdhri për ndalim dhe kontroll.
Sipas informacioneve të publikuara, personi i dyshuar është Florim Blaku, biznesmen nga Llapi dhe pronar i biznesit “Mobi Shop Lila” në Podujevë.
Ai dyshohet se po transportonte telefona të kontrabanduar, ndërsa pas urdhrit të zyrtarëve doganorë për ndalim, dyshohet se ka goditur me veturë njërin prej tyre.
Si pasojë e incidentit, zyrtari doganor ka pësuar lëndime trupore në gjymtyrë. Sipas informacioneve të deritanishme, gjendja e tij shëndetësore është stabile.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur të martën, më 24 nëntor, rreth orës 13:30, në Bulevardin e Dëshmorëve në Podujevë, ku një ekip mobil i Doganës së Kosovës ishte duke zhvilluar kontrolle në kuadër të detyrës zyrtare.
Zyrtarët doganorë kishin tentuar të kontrollonin veturën e tipit Range Rover, në pronësi të Blakut, me qëllim të verifikimit të dyshimeve për telefona mobilë të kontrabanduar dhe të padoganuar.
Por, në vend se t’i nënshtrohej kontrollit, Blaku dyshohet se kishte nisur veturën dhe gjatë largimit kishte goditur në dorë zyrtarin doganor.
Pas incidentit, pronari i “Mobi Shop Lila” ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa njësitë policore deri më tani nuk kanë arritur ta lokalizojnë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e kriminalistikës, të cilët kanë ndërmarrë veprimet për dokumentimin e rastit.









