Derisa Mali i Zi synon t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti, ndërsa Shqipëria synon ta arrijë këtë objektiv gjatë vitit 2027, Kosova vazhdon të mbetet prapa në procesin e integrimit evropian. Gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim, kërkesa e saj ende nuk ka kaluar për shqyrtim në Komisionin Evropian.
Ky dallim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të jetë një nga çështjet që do të shoqërojë samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili mbahet të mërkurën, më 25 nëntor, në Bruksel.
Për Kosovën, samiti pritet të sjellë edhe një herë mesazhin se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Por, pavarësisht këtij premtimi të përbashkët për rajonin, Kosova vazhdon të ketë pozitën më të pafavorshme në rrugën drejt integrimit evropian. Ajo është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Dallimi me shtetet e tjera të rajonit është i dukshëm. Mali i Zi ka hapur 33 kapituj të negociatave, prej të cilëve 25 i ka mbyllur përkohësisht. Shqipëria ka hapur po ashtu 33 kapituj dhe ka mbyllur katër prej tyre, ndërsa Serbia ka hapur 22 kapituj dhe ka mbyllur dy.
Maqedonia e Veriut i ka nisur formalisht negociatat për anëtarësim në vitin 2022, kurse Bosnjë-Hercegovina, pavarësisht problemeve të brendshme politike, e ka fituar statusin e vendit kandidat në dhjetor të po atij viti.
Kosova, ndërkaq, vazhdon të konsiderohet nga Brukseli si “kandidate potenciale”.
Një prej pengesave kryesore mbetet fakti se pesë shtete anëtare të BE-së – Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Për avancimin formal të procesit kërkohet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare.
Në raportin e publikuar më 4 nëntor, Komisioni Evropian ka përsëritur gatishmërinë për të përgatitur opinionin lidhur me aplikimin e Kosovës, nëse një kërkesë e tillë i bëhet nga Këshilli i BE-së. Megjithatë, deri më tani, një kërkesë e tillë ende nuk është bërë.
Çfarë mund të përfitojë Kosova nga samiti?
Samitet BE–Ballkani Perëndimor zakonisht shërbejnë për të përcjellë mesazhe politike, për të konfirmuar zotimet për bashkëpunim ekonomik dhe integrim gradual, si dhe për të kërkuar përshpejtimin e reformave në vendet e rajonit.
Një prej temave kryesore pritet të jetë edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili ka një vlerë prej gjashtë miliardë eurosh. Në kuadër të këtij plani, për Kosovën janë paraparë deri në 882.6 milionë euro.
Megjithatë, përfitimi nga këto mjete është i kushtëzuar me zbatimin e reformave të përcaktuara dhe angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë.
Kosova mund të përfitojë ekonomikisht dhe të avancojë integrimin gradual në tregun evropian edhe pa e fituar statusin e vendit kandidat. Por, në njoftimin zyrtar për samitin nuk është përmendur ndonjë vendim konkret për avancimin e statusit të saj.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian vazhdon të kërkojë nga Kosova institucione funksionale, gjyqësor të pavarur, luftim të korrupsionit, respektim të të drejtave themelore dhe reforma ekonomike.
“Aty ku ngecin reformat, ngec edhe përparimi”, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.
Dialogu me Serbinë, një tjetër pengesë për Kosovën
Përveç reformave të brendshme, Kosova përballet edhe me një kusht tjetër të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian: normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, të arritura në vitin 2023, i kanë bërë obligimet që dalin nga dialogu pjesë të procesit të integrimit evropian.
Moszbatimi i këtyre marrëveshjeve mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta negative për procesin e anëtarësimit dhe për ndihmën financiare të Bashkimit Evropian.
Ndër çështjet kryesore që vazhdojnë të mbeten të hapura është edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Brukseli po e lidh gjithnjë e më shumë perspektivën evropiane të Kosovës me mënyrën se si trajtohen komunitetet joshumicë në vend.
Në këtë drejtim, BE-ja ka kritikuar vazhdimisht mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia, mungesën e bashkërendimit dhe pasojat që këto veprime kanë për qytetarët që marrin shërbime nga ato institucione.
Po ashtu, kërkohet konsultim me komunitetin serb për çështje që lidhen me arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet e tjera.
Në anën tjetër, Serbia kritikohet nga Bashkimi Evropian për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për mungesën e llogaridhënies lidhur me sulmin në Banjskë.
Kosova e ka në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që nga viti 2016, ndërsa liberalizimi i vizave hyri në fuqi në janar të vitit 2024.
Megjithatë, përkundër këtyre hapave drejt afrimit me BE-në, procesi i anëtarësimit vazhdon të mbetet në vendnumëro.
Shqyrtimi i aplikimit për anëtarësim, që do të duhej të ishte hapi i radhës, ende nuk ka një afat të përcaktuar.









