Publicisti Veton Surroi e ka vazhduar edhe të hënën ‘përplasjen’ në distancë me gazetarin Baton Haxhiu.
I ftuar në Konfront të KTV-së, Surroi nuk kurseu “thumbimet” ndaj Haxhiut, duke i cilësuar edhe njëherë tjetër si trillime deklaratat e ish-kryeredaktorit të Kohës Ditore.
Surroi krahasoi deklaratën e Haxhiut për dollmat në shtëpinë e nënës së tij, me një deklaratë tjetër të Haxhiut për Kadri Veselin disa vite më parë.
“Është një rrëfim i gjatë, kam shkruar mjaftueshëm. Javën e kaluar kemi pasur një bashkëbisedim në distancë përmes shkrimeve. Ky bashkëbisedim filloi me pohimin e Baton Haxhiut se ka qenë i ftuar nga unë në drekë te shtëpia e nënës sime dhe pastaj jep një rrëfim për familjen time. Zotëri Haxhiu ndoshta ka qenë në shtëpinë e nënës sime atë ditë kur ka qenë në Aeroportin e Rinasit dhe kur ka parë se prej aeroplanit po kërcën Kadri Veseli. Mund të jetë i vërtetë (rrëfimi për drekën në shtëpinë e nënës së tij) aq sa ka qenë i vërtetë se e ka parë duke kërcyer nga avioni”, deklaroi Surroi.
Në nëntor të vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit, Haxhiu kishte deklaruar se Kadri Veseli kishte kërcyer me parashutë nga avioni në vitin 1998 për t’iu bashkuar luftës në Kosovë.
“Ka qenë në Paris në vitin 1998 dhe është dashur të kthehet për shkak të një pune, dhe është nisur me aeroplan për të ateruar në aeroportin e Rinasit, dhe për shkak të motit të keq, po flasim për një aeroplan ushtarak, aeroplani nuk ka mund të zbresë në aeroportin e Rinasit, Kadri Veseli bashkë me shokun e tij ka kërcyer nga aeroplani për të ardhur në Kosovë për shkak se kishte për të luftuar”, kishte deklaruar Haxhiu atë kohë.
Përplasja mes Surroit e Haxhiut është zhvilluar në distancë për rreth një javë, pas deklaratave të Haxhiut se në shtëpinë e Surroit gjatë viteve ’98 ishte e vendosur fotografia e Josip Broz Titos.









