Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 13-të në formë elektronike, gjatë së cilës ka shqyrtuar dhe miratuar disa pika dhe vendime me rëndësi institucionale dhe administrative.
Në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërshtetëror, ekzekutivi ka miratuar në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e cila synon shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Po ashtu, me kërkesë të Doganës së Kosovës, kabineti qeveritar ka miratuar qiradhënien e hapësirave dhe zyrave që ndodhen në kuadër të Terminalit Doganor në Han të Elezit, për një periudhë kohore prej 36 muajsh.
Ndër pikat e tjera të miratuara në këtë mbledhje elektronike janë edhe:
Miratimi i Raportit për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë;
Miratimi i kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për tjetërsimin, përkatësisht shitjen e automjeteve zyrtare që janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit;
Vendimi për emërimin e Luan Dalipit në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksporte.









