Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar sqarime nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, lidhur me incidentin e ndodhur në Forumin e Zgjerimit në Bruksel, ku ishte interpretuar një këngë nacionaliste serbe.
Gjatë takimit të Komisionit për Integrime Evropiane me ambasadorin Schuebel, Lushaku-Sadriu ka shprehur zhgënjimin për atë që ndodhi në kryeqendrën evropiane, duke theksuar se Kosova tash e një javë është në pritje të një kërkimfaljeje zyrtare nga Bashkimi Evropian.
Ajo ka thënë se incidenti ishte zhgënjyes, veçanërisht duke marrë parasysh përkushtimin e Kosovës ndaj perspektivës evropiane dhe rolin që BE-ja synon të ketë në tejkalimin e ndasive mes vendeve të rajonit.
Sipas saj, Forumi i Zgjerimit duhet të shërbejë për përcjelljen e mesazheve të pajtimit ndërmjet shteteve që kanë qenë në konflikt dhe për avancimin e integrimit evropian.
“Ka një javë që po presim një kërkimfalje institucionale dhe formale ndaj Republikës së Kosovës për të sqaruar këtë incident dhe për t’u siguruar që janë marrë masat që në të ardhmen të mos kemi situata të tilla”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Këto komente ajo i bëri gjatë takimit me ambasadorin e BE-së, Dirk Schuebel, i cili u mbajt i mbyllur për media.
Ndërkaq, ditë më parë, Schuebel është takuar edhe me përfaqësues të komisioneve të tjera parlamentare.










