Kirurgu plastik dënohet me vdekje për vrasjen e avokatit, trupin e tij e hodhi në një deponi mbeturinash

Një kirurg plastik në Florida të SHBA-së është dënuar me vdekje për vrasjen e avokatit Steven Cozzi, të cilin e kishte vrarë brenda banjës së zyrës ligjore, përpara se trupin e tij ta hidhte në një kontejner mbeturinash në zonën e Everglades. Trupi i viktimës nuk është gjetur asnjëherë.

Tomasz Kosowski u shpall fajtor për vrasjen e avokatit në shtator, ndërsa të enjten gjykatësi Joseph Bulone shqiptoi ndaj tij dënimin me vdekje.

Sipas prokurorisë, vrasja ndodhi në mars të vitit 2023, menjëherë pas një telefonate ku të dy kishin diskutuar për një mosmarrëveshje të gjatë lidhur me faturimet për shërbime mjekësore.

Prokurorët pretenduan se Kosowski kishte marrë pjesë në telefonatë nga një kamionçinë Toyota, e parkuar jashtë zyrës ligjore, ku kishte përgatitur edhe mjetet për kryerjen e krimit. Në automjet, sipas tyre, ndodheshin qese mbeturinash, një shiringë me substancë paralizuese dhe një karrocë për transportimin e trupit.

Hetuesit përdorën të dhënat e telefonit dhe pamjet e kamerave të sigurisë për ta ndjekur gjurmën e tij deri në një zonë të izoluar në perëndim të Miamit, përgjatë autostradës Tamiami Trail. Dyshohet se aty ai e hodhi trupin e avokatit në një kontejner komercial, i cili më pas u zbraz nga një kamion i mbeturinave.

Shoferi i kamionit kishte vërejtur një erë jashtëzakonisht të rëndë në atë pikë grumbullimi. Mbeturinat nga ajo zonë zakonisht dërgoheshin në një deponi në qarkun Collier, por autoritetet thanë se rikuperimi i trupit ishte praktikisht i pamundur, pasi mbeturinat në atë objekt ngjeshen rregullisht.

Provat mjeko-ligjore zbuluan gjak dhe ADN të Cozzit në banjën e zyrës ligjore, si dhe në garazhin e shtëpisë private të Kosowskit.

Gjatë arrestimit, kirurgu kishte me vete 280 mijë dollarë para të gatshme, maska, shirit ngjitës, armë zjarri, jelek antiplumb me mbishkrimin “EMS”, emblema të organeve të rendit dhe një shishe me sukcinilkolinë, substancë që shkakton paralizë. Në shtëpinë e tij, sipas dokumenteve gjyqësore, u gjetën rreth 200 armë.


Kosowski kishte zgjedhur ta mbronte vetë veten gjatë gjykimit dhe në fjalën përfundimtare kishte pretenduar se prokuroria nuk kishte arritur ta dëshmonte fajësinë e tij. Ai nuk paraqiti prova lehtësuese për veten, ndërsa mbrojtja e caktuar nga gjykata theksoi se nuk kishte histori të mëparshme kriminale dhe se kishte ushtruar profesionin e mjekut.

Megjithatë, gjykatësi vlerësoi se rrethanat lehtësuese nuk i tejkalonin ato rënduese, duke theksuar se krimi ishte kryer në mënyrë të ftohtë, të llogaritur dhe të paramenduar.

“Gjykata arrin në përfundimin se i pandehuri, sipas ligjeve të shtetit të Floridës, e ka humbur të drejtën për të jetuar”, deklaroi gjykatësi Bulone.

Avokati Steven Cozzi ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Çelësat, portofoli dhe telefoni i tij kishin mbetur mbi tavolinën e zyrës, ndërsa në kompjuter kishte lënë të hapur një dosje pune. Bashkëshorti i tij nuk kishte marrë më asnjë lajm prej tij.

Cozzi përfaqësonte një klinikë mjekësore në Dunedin të Floridës, ndërsa Kosowski pretendonte se klinika i kishte mbetur borxh mijëra dollarë nga faturimet dhe se i kishte dëmtuar reputacionin profesional.

Gjykatësi ka caktuar zyrën e mbrojtësit publik që ta përfaqësojë Kosowskin në procedurat e apelit.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit