Arrestohet polici në Kaçanik për keqtrajtim të qytetarit, IPK rekomandon suspendimin edhe të tre zyrtarëve të tjerë

Një zyrtar policor i Stacionit Policor në Kaçanik është arrestuar nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, pasi dyshohet se përdori forcën ndaj një qytetari edhe pasi e kishte prangosur.


Sipas njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), rasti ka ndodhur më 17 nëntor, pas orës 15:00, në oborrin e shkollës së fshatit Kaçanik i Vjetër.

Në këtë rast dyshohet se një patrullë policore, e përbërë nga katër zyrtarë, e kishte arrestuar dhe prangosur një qytetar. Megjithatë, sipas hetimeve fillestare, njëri nga policët dyshohet se kishte tejkaluar autorizimet ligjore duke përdorur forcën edhe pasi qytetari ishte prangosur, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Pas arrestimit, qytetari ishte dërguar në stacionin policor. Por, sipas IPK-së, zyrtarët policorë nuk e kishin njoftuar prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për veprimet e ndërmarra, ndonëse kishin pretenduar se qytetari kishte kryer vepër penale.

Më pas, qytetari ishte liruar, ndërsa ndaj tij ishte shqiptuar një tiketë për kundërvajtje, për prishje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht për sulm verbal.

IPK ka bërë të ditur se ndaj zyrtarit policor të arrestuar kishte pranuar edhe ankesa të tjera nga qytetarët, të cilat mund të jenë relevante në kuadër të hetimit dhe vlerësimit të veprimeve të tij zyrtare.

Me vendim të prokurorit kompetent, policit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkaq, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e zyrtarit të arrestuar, si dhe të tre zyrtarëve të tjerë policorë që ishin të përfshirë në këtë rast.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit