Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e cila është edhe profesoreshë në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ka bërë të ditur se sonte, rreth orës 17:10, derisa po mbante test me studentët e nivelit master, është ndërprerë energjia elektrike.
Bajrami ka treguar se paraprakisht ua kishte marrë telefonat studentëve, ndërsa pas disa minutash pritjeje, ata gjetën një zgjidhje kreative për të vazhduar testin.
“Paraprakisht ua kisha marrë të gjithëve telefonat. Pas disa minutash pritjeje, studentët erdhën me një ide kreative: t’ua shpërndaja telefonat në mënyrë të rastësishme, që secili ta përdorte telefonin e dikujt tjetër vetëm për ndriçim, pa e zhbllokuar”, ka shkruar ajo.
“Kështu vazhduam testin!”, ka shtuar Bajrami.
Ajo ka publikuar edhe një fotografi nga momenti, duke theksuar se nuk është bërë në periudhën e pasluftës, por më 18 nëntor 2026.
“Jo, fotografia nuk është e pasluftës. Është bërë para një ore me 18 nëntor 2026, në ‘Kosovën e progresit të paparë’!”, ka shkruar deputetja.
Përtej ironisë së saj, Bajrami ka kërkuar që Qeveria të paraqitet urgjentisht në Kuvend me një plan konkret për krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë.
“Përtej humorit, Qeveria duhet të vijë urgjentisht në Kuvend me një plan konkret për kapacitete të reja gjeneruese.
Vetëm prodhimi vendor na shpëton nga kriza. Pas gati gjashtë vjetësh të humbura, nëse nuk veprojmë tash, as qytetarët e as Qeveria shumë shpejt nuk do të mund t’i përballojnë faturat e rrymës e reduktimet do na bëhen përditshmëri”, ka shkruar Bajrami.









