Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka nisur dëshminë e tij sot para Komisionit Hetimor të Kuvendit të Kosovës për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Kreu i këtij Komisioni, Burim Ramadani, ka pyetur Muhaxherin lidhur me funksionimin e Drejtorisë për Punë Sociale dhe për QPS-në.
Muhaxheri ka folur për mungesë të veprimeve të institucioneve qendrore për emërime në Qendrën për Punë Sociale, duke treguar se janë detyruar si Komunë që të ndërmarrin veprime për emërime aty.
Marrjen në pyetje të Muhaxherit e ka vazhduar pastaj deputeti i LVV’së, Armend Baloku, duke e pyetur Muhaxherin për aspekte teknike të funksionimit të QPS-së dhe për atë nëse ka ndikuar në ndonjë formë për zgjedhjen e drejtoreshës së QPS-së.
Kreu i Pejës ka thënë se drejtoresha e re është ushtruese detyre dhe ka ardhur në atë pozitë pas pensionimit të drejtoreshës paraprake.
Baloku tutje e ka pyetur Muhaxherin nëse është në dijeni të takimit të drejtoreshës së QPS-së me Arlinda Zekajn. Kreu i Pejës s’ka përjashtuar mundësinë e takimit, por thotë se s’është në dijeni për detajet.
Muhaxheri gjatë dëshmisë së tij sa i përket kërkesave të QPS-së për ambiente më të mëdha ka treguar se QPS kishte kërkuar nga Komuna që të vendosej një detektor sigurie në hyrje të qendrës nga frika se aty do të mund të futeshin njerëz të armatosur dhe gjithashtu edhe për vendosjen e një personi më të fuqishëm si sigurim.









