Një punëtor shqiptar ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e së martës në Itali, pasi është goditur nga një veturë në një kantier ndërtimi në autostradën A18, në segmentin që lidh Mesinën me Katanian.
Aksidenti fatal ka ndodhur pak pas orës 09:00, në afërsi të kryqëzimit të Giardini Naxos. Sipas raportimeve të mediave italiane, një veturë e drejtuar nga një grua ka hyrë në hapësirën e rrugës së bllokuar për shkak të punimeve dhe ka përplasur punëtorin shqiptar.
Rrethanat e aksidentit ende nuk janë zbardhur plotësisht, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që drejtuesja e veturës të ketë kryer një manovër të papritur për të shmangur një rrezik të shkaktuar nga një automjet tjetër.
Pas përplasjes, gruaja ka dalë menjëherë nga vetura për t’i dhënë ndihmën e parë punëtorit. Megjithatë, pak më vonë edhe ajo është ndjerë keq dhe ka marrë trajtim nga ekipet e emergjencës 118.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan në aksidentin tragjik.









