Astrit Haraqija, ish-ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga Gjakova, ka udhëhequr këtë ministri nga viti 2004 deri në vitin 2008, si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
I lindur më 14 qershor 1972 në Gjakovë, Haraqija ka përfunduar Fakultetin Juridik. Në vitin 1996 ishte emëruar udhëheqës i Forumit të Rinisë së LDK-së në Gjakovë.
Karrierën politike e vazhdoi në pushtetin lokal, ku në mars të vitit 2002 u emërua shef ekzekutiv i Komunës së Gjakovës, pozitë të cilën e mbajti deri në nëntor të vitit 2004.
Në dhjetor të po atij viti mori drejtimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, ku qëndroi deri në vitin 2008.
Pas përfundimit të mandatit si ministër, në vitin 2010 iu bashkua Listës Ibrahim Rugova, ndërsa më vonë u emërua zëvendësministër i Financave.
Haraqija është përballur edhe me procese të ndryshme gjyqësore. Në vitin 2008, Tribunali i Hagës e dënoi për frikësim të dëshmitarit në procesin kundër Ramush Haradinajt, por Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë aktgjykim në vitin 2009.
Në vitin 2012, dha dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Financave, në kohën kur po përballej me akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me ndarjen e 300 mijë eurove për dy projekte filmike që nuk u realizuan. Çështja përfundoi me hudhjen e akuzave për shkak të kalimit të afatit ligjor për gjykim.
Në maj të vitit 2016, Astrit Haraqija u përfshi në një aktakuzë për rastin e dyshuar të trafikimit të emigrantëve dhe shitjes së vizave të falsifikuara për Itali. Në këtë rast, së bashku me të, u akuzuan edhe Ukë Rugova dhe 19 persona të tjerë. Sipas aktakuzës, bëhej fjalë për një skemë të dyshuar të organizuar për përfitime nga lëshimi i vizave.
Haraqija i kishte mohuar akuzat, duke pretenduar se vizat ishin lëshuar për persona të caktuar me mbështetjen e Ibrahim Rugovës dhe se ishin nënshkruar nga ambasadori.









