Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve zyrtare për sigurinë, cilësinë dhe autenticitetin e produkteve ushqimore, ka identifikuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Mish i bluar gjedhi” të operatorit AJH FOODS SH.P.K., Novobërdë, ndonëse në etiketimin e produktit të dokumentuar gjatë inspektimeve deklarohen vetëm mish gjedhi dhe yndyrë. Gjetja është konfirmuar nga analizat laboratorike të realizuara në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari.
Prania e ADN-së së pulës në një produkt të tregtuar si “Mish i bluar gjedhi” ngre dyshime serioze për përdorimin e përbërësve me origjinë nga pula, të padeklaruar në produkt. Kjo mospërputhje e mundshme ndërmjet përbërjes faktike dhe deklarimit të produktit kërkon verifikimin e origjinës dhe autenticitetit të lëndëve të para. Rezultati laboratorik ngre gjithashtu dyshime për përdorimin eventual të mishit të pulës të ndarë mekanikisht (MDM/MNM). Gjatë kontrolleve zyrtare, inspektorët e AUV-së kanë evidentuar dokumentacion furnizimi për rreth 2.2 ton mish pule të ndarë mekanikisht, krahas furnizimeve me mish pule dhe mish gjedhi.
Operatori ekonomik ka kërkuar realizimin e një analize paralele për verifikimin e rezultateve laboratorike. AUV do ta trajtojë këtë kërkesë në përputhje me procedurat ligjore dhe të drejtat e operatorit. Megjithatë, duke marrë parasysh rezultatin laboratorik dhe nevojën për verifikimin e përbërjes dhe sigurisë së produktit, AUV, në zbatim të parimit të kujdesit të përcaktuar në nenin 7 të Ligjit nr. 08/L-120 për Ushqim, ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të produktit “Mish i bluar gjedhi” dhe ndalimin e përkohshëm të prodhimit të mëtejshëm deri në përfundimin e verifikimeve përkatëse. Këto masa janë parandaluese dhe nuk paragjykojnë rezultatet e analizës paralele apo përfundimet e procedurës së kontrollit zyrtar.
Sipas raportit të inspektimit, janë kthyer dhe izoluar në depon frigoriferike 77 kg mish i bluar, ndërsa për lotin e analizuar fillimisht nuk është evidentuar kthim i produktit në depon e operatorit. AUV do të vazhdojë verifikimin e gjurmueshmërisë dhe të sasive të produktit të shpërndara në treg. Në vijim, AUV do të përqendrojë kontrollet në verifikimin e përbërjes së produktit “Mish i bluar gjedhi”, origjinës së ADN-së së pulës, përdorimit eventual të mishit të ndarë mekanikisht dhe përputhshmërisë së përbërjes faktike me deklarimin në etiketë. Gjithashtu, do të verifikohet nëse operatori ka respektuar kushtet e parapara për aprovimin dhe përdorimin e mishit të ndarë mekanikisht në produktet përfundimtare të mishit, përfshirë kërkesat për higjienën, përpunimin, ruajtjen dhe kontrollin mikrobiologjik.
Sipas Ligjit nr. 08/L-120 për Ushqim, operatorët ekonomikë kanë detyrimin të sigurojnë që produktet e vendosura në treg të jenë në përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore dhe që informacioni për përbërjen e tyre të jetë i saktë dhe të mos i çorientojë konsumatorët.
AUV do të vazhdojë kontrollet dhe do të ndërmarrë masat përkatëse administrative dhe inspektuese bazuar në rezultatet përfundimtare të analizave, gjurmueshmërinë e lëndëve të para dhe konstatimet e kontrolleve zyrtare.
Agjencia rithekson se një produkt i deklaruar si “Mish i bluar gjedhi” duhet të ketë përbërje në përputhje me deklarimin e tij. Konsumatorët kanë të drejtë të dinë saktësisht çfarë mishi përmban produkti që blejnë.









