Opozita në Serbi e rrëzoi Vuçiqin, por nuk e flaku fare hijen e Millosheviqit!

Shkruan; Prof.dr. Fadil Maloku, sociolog

Që në fillim më duhet ta sqaroj se, për mua si sociolog, dokumenti ku evidentohet qëndrimi i opozitës serbe ndaj Kosovës nuk mund të ndëlidhet vetëm me shpresën si synim e ambicie se ata do të jenë më liberalë, por edhe me mënyrën dhe kutin e tyre politik se si do ta qeverisin vendin e tyre. Dhe në veçanti, çfarë raporti fqinjësor do të ndërtojnë ata në të ardhmen me Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi e sidomos me Republikën tonë. Shikuar nga kjo “dioptri”, nëse “Lista e studentëve” serbë vazhdon ta “ushqejë” dhe ta mbajë gjallë të njëjtën “road map” ultranacionaliste, ashtu si regjimi i diktatorit Millosheviq dhe ai i autokratit Vuçiq kundrejt Kosovës, atëherë ne duhet të jemi shumë vigjilentë, sepse në Serbi, de facto dhe de jure, po shihet se kemi të bëjmë vetëm me ndërrimin e akterëve politikë, e jo edhe me ndryshimin radikal të kursit qeverisës apo me një emancipim, e aq më pak me denazifikim të politikës, kulturës, mentalitetit dhe etnopsikologjisë serbe në tërësi…!?

Dokumenti i mëposhtëm, ku pak a shumë mund ta “lexojmë” si qëndrimin ashtu “planimetrinë”e opozitës së re serbe ndaj Kosovës, thënë më troç, na zbulon një paradoks të rëndësishëm, të cilin qeveria, por edhe opozita dhe mediet tona, bashkë me shoqërinë civile, tash e tutje duhet ta kenë në epiqendër të prononcimeve publike. Opozita serbe, kinse po pretendon të ofrojë një alternativë të re, të ambalazhuar me “folklorizmin” demokratik si kundërvënie ndaj regjimit të Vuçiqit rreth Kosovës, por, në fakt, me sa duket, ajo do të vazhdojë edhe më tej të riprodhojë të njëjtën matricë ideologjike, territoriale dhe nacionaliste të politikës serbe. Kur them kështu, nënkuptoj se, në kuadër të kësaj matrice tipike ideologjike, territoriale e nacionaliste të kësaj opozite, unë po “lexoj” midis rreshtave edhe disa argumente kundërthënëse sociologjike.


  1. Argumenti i parë kundërthënës, që nuk kërkon ndonjë përgatitje apo ekspertizë aq profesionale, ka të bëjë me faktin se opozita serbe, ndonëse i ka maksimalizuar ambiciet dhe synimet e saj për rrëzimin e autokracisë së Aleksandër Vuçiqit, me idenë e demokratizimit të brendshëm të Serbisë, përmes qëndrimit të saj nacionalist, në fakt, është duke i mohuar si vlerat, ashtu edhe mekanizmat e demokracisë, sidomos kur janë në pyetje standardet e raporteve me fqinjët e saj, e në veçanti me Kosovën! Shkaku është se ajo nuk ka lëvizur asnjë milimetër përpara! Përkundrazi! Ngase, me sa mund të gjykohet nga prononcimet e bëra deri më tash, ajo, në të njëjtën kohë, është duke promovuar demokratizimin e institucioneve të shtetit të vet, por edhe duke imponuar një diskurs pak a shumë identik me atë të ish-regjimit të autokratit Vuçiq! Sepse është paradoksale dhe absurde që, me të njëjtin ritëm, ta trajtosh fqinjin tënd (Kosovën) si objekt të vullnetit politik dhe kushtetues të Serbisë, duke mos ia njohur subjektivitetin e saj politik! Pra, nuk mund të kërkosh demokraci për vete, por njëkohësisht t’ia mohosh të drejtën e një shoqërie tjetër për vetëvendosje politike.

  2. Argumenti i dytë kundërthënës ka të bëjë me “rrëfimin” e tyre lidhur me qëndrimin publik shovinist ndaj Kosovës, i cili edhe mund të jetë lansuar si një narracion që ka shërbyer vetëm për konsum të brendshëm, në formë dhe përmbajtje eufemiste. Mirëpo, kur ata i referohen Rezolutës 1244 dhe më pas Kushtetutës së Serbisë, ku Kosova, taksativisht, ende në Preambulë figuron si “pjesë përbërëse e Serbisë” dhe ku aludohet se Kosova duhet të qëndrojë aty edhe pas gati tri dekadave të pasluftës, brenda kufijve të Serbisë, dëshmojnë më së miri se kjo opozitë nuk ka arritur, apo nuk ka dashur qëllimisht, të “shkurorëzohet” nga paradigma e trashëguar e nacionalizmit territorial serb! Opozita e sotme serbe, në vend që ta trajtojë Kosovën si një realitet të ri politik dhe ndërkombëtar dhe të përdorë, me shumë më tepër fleksibilitet, standardet evropiane për fqinjësi dhe raporte tolerante, ajo, me sa po kuptoj, do të vazhdojë ta konceptojë edhe më tej Kosovën si një territor të papërfunduar të shtetësisë serbe!?

  3. Argumenti i tretë kundërthënës, të cilin mund po ashtu ta “lexojmë” e ta “detektojmë” në këtë dokument të opozitës së re serbe, është ai i kërkesës, që po duket se shndërrohet edhe në insistim, për të instaluar në Kosovë, sapo të vijnë në pushtet, një lloj autonomie etnike si mekanizëm juridik për krijimin e një sovraniteti paralel në Republikën e Kosovës. Kjo i bie të instalohet një lloj “kali Troje”, apo, thënë më ndryshe, një model atipik i “bosnjizimit” të Kosovës, ku Republika jonë, e njohur nga 127 shtete, në dekadat e ardhshme do të vazhdonte të përplitej përfundimisht në “shtratin e Prokrustit” serb!? Ku komunat sa një “grusht” serbësh do të fitonin autonomi (lexo: një Republikë Srpska paralele në Kosovë!), shumë më të madhe se ajo që ka Asociacioni aktual i vetëqeverisjes në Kosovë. Ku ambicia, synimi dhe shpresa e brezave të ardhshëm serbë për ta rikthyer “Jerusalemin serb” do të maksimalizoheshin skajshmërisht.
    Paradoksi është ky: të drejtat e grupeve etnike, sipas konventave dhe normave evropiane, duhet të garantohen, por jo edhe të shndërrohen në instrument presioni për reduktimin dhe relativizimin e sovranitetit dhe funksionalitetit të shtetësisë së Kosovës. Ky paradoks hetohet edhe te kërkesat për luftimin e korrupsionit, përgjegjësinë institucionale dhe çlirimin e institucioneve nga kontrolli politik. Mirëpo, kur vjen puna te Kosova, kjo opozitë dëshmon qartazi se do të riprodhojë një diskurs të trashëguar nga politika e vjetër serbe.
    Së fundi, si konstatim, ajo që duhet të kuptojë Kosova është se Serbia, me opozitën e re, e ndërrojë regjimin politik, por, kur është në pyetje Republika e Kosovës, nuk po shihet se e ka ndryshuar as edhe një milimetër kursin apo paradigmën e vetë nacionaliste! Dhe duke qenë ende e “ngujuar” në ujërat e nacionalizmit, mendoj, që ajo nuk premton të sjellë progres në raport me Kosovën edhe për një arsye, sipas meje, fundamentale: Serbisë i duhet një katarsis moral, etik, politik e kulturor, për të cilin nevojitet kohë… Ndërkaq, ne duhet të vazhdojmë forcimin e tërësisë së shtetësisë sonë, e cila u arrit me mund, me sakrifica, me gjakun e dëshmorëve dhe të viktimave. Megjithate, duhet theksuar se interpretimi juridik i BE-s kërkon një sqarim të nuancuar. Sepse, Neni 49 i Traktatit për Bashkimin Evropian nuk e definon shprehimisht njohjen e Kosovës nga ana Serbisë si kusht paraprak për anëtarësimin e saj në BE. Por, kur janë në pyetje procesi i normalizimit gjithëpërfshirës i raporteve me Kosovën ky është një kusht tashmë i konsoliduar në kuadër të negociatave të Serbisë për anëtarësim. Dhe kjo kërkesë (shih Kapitullin 35!) përfshin detyrimet që ka marr Serbia, kur janë në pyetje sidomos çështjet që lidhen me pranumin e dokumenteve Kosovës, me institucionet e saj, me pjesëmarrjen në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, si dhe me mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë.
    Andaj themi që procesi i njohjes formale diplomatike dhe përmbushja e këtyre detyrimeve janë dy çështje diametralisht antipode, ndonëse pasojat e tyre praktike mund të ndërthuren, por vetëm me vullnet politik që kam dilema në zbatim, sidomos tani kur Serbinë do ta udhëheq opozita studentore.
Si konstatim! Ajo çfarë duhet të kuptojë Kosova nga ky Dokumenti i opozitës serbe është; se Serbia, me opozitën e re, do ta ndërrojë regjimin e vet politik, por, kur është në pyetje Republika e Kosovës, nuk po shihet se e ka ndryshuar as edhe një milimetër kursin apo paradigmën nacionaliste. Si e tillë, ajo nuk shpresoj të sjellë progres në raport me Kosovën edhe për një arsye, mendoj unë, fundamentale: Serbisë i duhet një katarsis moral, etik, politik e kulturor, për të cilin ka nevojë për kohë… Ndërkaq, ne duhet të vazhdojmë forcimin e tërësisë së shtetësisë sonë dhe të mos pranojmë asnjë marrëveshje pa njohjen de facto nga Serbia…

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit