Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër gjendjen në shëndetësi gjatë interpelancës së ministrit Arben Vitia për mungesën e barnave onkologjike dhe rastin e pacientes që humbi jetën nga kanceri.
Ajo kërkoi përgjigje se kur do të nisë zbatimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore, duke i bërë thirrje Qeverisë që ta ketë prioritet këtë sektor, pasi qytetarët po përballen me vështirësi të mëdha për të siguruar barnat.
“Shëndetësia është çështje e dinjitetit njerëzor. A është shëndetësia prioritet i kësaj qeverie? Aman, bëjeni prioritet, se qytetarët janë në hall”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ajo ka përmendur edhe deklaratën e një qytetari, që sipas saj humbi jetën në mungesë të barnave i cili kishte thënë: “A me jetu, a me ble barna?”.
Sipas saj, kjo deklaratë duhet t’i prekë të gjithë, përfshirë deputetët, ndërsa ka kërkuar nga institucionet që të reflektojnë dhe të ndërmarrin hapa për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi.









