Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara, pas kthimit në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula për rishqyrtim, nuk mund të ndryshohet përmes amendamenteve në formën aktuale.
Sipas tij, nëse synohet ndryshimi i përmbajtjes së këtij ligji, procesi duhet të nisë nga zero, ndërsa mundësia tjetër është që Kuvendi ta votojë sërish me së paku 61 vota.
Kryeziu ka shpjeguar se presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj në Kuvend vetëm një herë. Ndërkaq, sipas tij, Kuvendi mund ta miratojë përsëri atë me së paku 61 vota, pa pasur nevojë për dekretimin nga presidentja.
“Në bazë të Kushtetutës, neni 80, kryetari i shtetit, presidenti ka vetëm një herë të drejtë ta kthejë ligjin. Që nënkupton ligjin e suspendon dhe duhet të bëhet një ligj i ri. Nëse parlamenti i Kosovës nuk dëshiron ta bëjë një ligj të ri, atëherë brenda katër javëve, në bazë të Rregullores së Parlamentit, duhet të votohet dhe minimumi t’i ketë 61 vota. Që nënkupton ligji hyn në fuqi drejtpërdrejt pa u dekretuar nga presidenti”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai i ka cilësuar si të paprecedenta zhvillimet e fundit rreth këtij ligji, duke thënë se ato nuk kanë qartësi të mjaftueshme procedurale dhe kushtetuese.
“Këto situata që ne po i shikojmë, për mua janë paprecedent dhe nuk kanë ndonjë filozofi kështu të qartë procedurale ose kushtetuese. Ligji ose duhet të amandamentohet dhe të fillojë nga zero. Ose duhet të kalojë, t’i kthehet me 61 vota dhe të hyjë në fuqi pa u nënshkruar nga presidenti”, ka thënë ai.
Kryeziu ka theksuar se ligji, në formën aktuale, nuk mund të ndryshohet përmes amendamenteve, pasi është suspenduar pas kthimit nga presidentja. Sipas tij, nëse synohet ndryshimi i përmbajtjes së tij, duhet të nisë një proces i ri ligjvënës, duke kaluar nëpër të gjitha procedurat fillestare parlamentare.
“Ky ligj nuk ka të drejtë të amandamentohet sepse është i suspenduar, por mund të amandamentohet nëse fillon nga zero. Sikurse ka filluar për herë të parë, miratohet në Parlament, i ka ato procedurat në rastin e parë e të dytë e kështu me radhë, në komisionet profesionale. Përndryshe, kështu siç është ligji nuk ka të drejtë të amandamentohet. Vetëm mund të votohet me 61 vota, të cilat i parasheh Rregullorja e Kuvendit”, është shprehur Kryeziu.
Ish-gjyqtari i Kushtetueses ka folur edhe për kompetencën e presidentes për kthimin e ligjit, duke thënë se ajo është dashur të veprojë në mënyrë të pavarur nga partitë politike.
“Presidentja është dashur ta nënshkruajë, s’është dashur t’i dëgjojë partitë politike. Ajo është kompetencë e saj ekskluzive për ta kthyer ligjin, jo nga presionet politike, por nëse ajo e sheh të arsyeshme”, ka deklaruar ai.
Sipas Kryeziut, ekzistojnë dy arsye kushtetuese për kthimin e një ligji nga presidentja. E para është kur vlerësohet se ligji cenon rendin juridik dhe kushtetues, ndërsa e dyta kur konsiderohet se cenohen të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare.
“Dhe dy janë arsye kushtetuese se pse mund të kthehet ligji. E para është nëse me këtë ligj konsiderohet se cenohet rendi juridik dhe kushtetues. Dhe e dyta me këtë ligj cenohet të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare apo minoriteteve.
Heqja e presidentit nënkupton me i marrë 61 vota. Dhe presidentja s’ka më nevojë ta nënshkruajë”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkaq, ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara ishin miratuar nga Kuvendi më 6 tetor, pas një nisme të PDK-së, e cila erdhi pas dënimit në shkallë të parë të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, më 16 shtator.
Presidentja Justina Shiroka-Pula e kishte kthyer ligjin në Kuvend më 22 tetor, pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtim.
Ndërsa, në mbledhjen e 12 nëntorit të Komisionit për Legjislacion, PDK-ja kërkoi që Kuvendi të votojë për rrëzimin e vetos së presidentes, kurse VV-ja kërkoi nisjen e një iniciative të re ligjore.









