Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka komentuar deklaratat e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Rashiq kishte deklaruar gjithashtu se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia duhet të lihet për një moment tjetër.
Hasani ka pretenduar se deklarata e Rashiqit është bërë me urdhër të kryeministrit Albin Kurti. Sipas tij, ministri nuk do të mund të bënte një deklaratë të tillë pa marrë paraprakisht pëlqimin e kreut të ekzekutivit.
Sa i përket çështjes së njohjes, Hasani ka thënë se kjo është e specifikuar në Marrëveshjen e Ohrit, ku, sipas tij, theksohet se palët nuk e paragjykojnë statusin.
“Së pari, deklarata e Rashiqit është thënë me urdhër të Kurtit. Ai e ka konstatuar një fakt që ekziston tash e dy vite e gjysmë, sepse ka filluar edhe Ligji për Shtetësi… Rashiqi e ka thënë diçka që është në Marrëveshjen e Ohrit, ku aty thuhet palët pa paragjykim të statusit, ti e ke pranu, njohja reciproke dhe çdo lloj njohje tjetër është hequr nga rendi i ditës…”, ka deklaruar Hasani.
Ai ka komentuar edhe vetë Marrëveshjen e Ohrit, duke e cilësuar atë si autonomi politiko-territoriale.









