Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Paris me laureatin e Çmimit Nobel për Ekonomi të vitit 2025, Philippe Aghion, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe potencialin e sektorit të teknologjisë në Kosovë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit është diskutuar për sektorët me potencialin më të madh për rritje ekonomike, me theks të veçantë te teknologjia, e cila përbën 6% të Bruto Produktit Vendor (BPV) të Kosovës.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe zhvillimi i inteligjencës artificiale, mundësitë dhe sfidat që sjell kjo teknologji, si dhe politikat për mbrojtjen e punëtorëve dhe zhvillimin e aftësive profesionale.
Kurti dhe Aghion kanë diskutuar gjithashtu për inovacionin në Evropë dhe tranzicionin energjetik.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar sistemit të arsimit dual në Kosovë, i cili ndërthur mësimin profesional me përvojën praktike në vendin e punës, duke u mbështetur në modelet e Gjermanisë dhe Zvicrës.
Sipas njoftimit, ekonomisti francez ka vlerësuar pozitivisht politikat e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin dhe zbatimin e këtij sistemi arsimor.
Philippe Aghion është një nga ekonomistët e njohur bashkëkohorë, i cili në vitin 2025 u nderua me Çmimin Nobel për Ekonomi për kontributin e tij në studimin e rritjes ekonomike të nxitur nga inovacioni.
Ai njihet për mbështetjen e politikave që nxisin zhvillimin teknologjik, duke promovuar njëkohësisht mbrojtjen sociale të punëtorëve gjatë ndryshimeve ekonomike.
Aghion ligjëron në Collège de France, INSEAD dhe London School of Economics and Political Science (LSE), ndërsa më herët ka qenë i angazhuar edhe në Universitetin e Harvardit dhe Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit (MIT).









