Konjufca premton se Qeveria do t’i adresojë rekomandimet e deputetëve për Raportin e KE-së

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, është zotuar se Qeveria do t’i adresojë të gjitha rekomandimet e deputetëve të opozitës lidhur me gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Gjatë debatit parlamentar për këtë raport, Konjufca tha se shumica e rekomandimeve nuk kërkojnë vetëm veprime nga Qeveria, por edhe angazhim të përbashkët të pozitës dhe opozitës në Kuvend.

“Zotohemi që do të adresojmë të gjitha rekomandimet që u thanë në Kuvend. Ne i kemi ekipet që regjistrojnë gjithçka që thatë. Shumica e rekomandimeve nuk kërkojnë vetëm masa të qeverisë, por po shoh që këto kërkojnë veprime edhe në Kuvend. Sepse vetëm kur punojnë bashkë mazhoranca dhe opozita me grupet parlamentare dhe vetëm kur partitë bëhen bashkë mund të krijojmë një Raport të Progresit edhe më të mirë në vitin 2027”, deklaroi ai.

Duke komentuar gjetjet e raportit, Konjufca rikujtoi se dokumenti mbulon periudhën nga shtatori i vitit 2025 deri në shtator të vitit 2026, gjatë së cilës Kosova mbajti dy palë zgjedhje parlamentare dhe një palë zgjedhje lokale. Ai theksoi se vendi për një periudhë të gjatë ishte pa institucione plotësisht funksionale.

Sipas tij, Komisioni Evropian ka evidentuar se Kuvendi ka qenë funksional vetëm nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa Qeveria ka qenë në detyrë për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit.


Konjufca citoi raportin, sipas të cilit kjo situatë “kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe vonoi reformat strukturore”.

Ai përmendi edhe ngecjet në procesin e reformave, duke theksuar se puna për strategjinë dhe Ligjin për Financat Publike ishte penguar nga kontestet politike, ratifikimi i Planit të Rritjes ishte vonuar deri në shkurt të vitit 2026, ndërsa pakoja e ligjeve për drejtësinë nuk ishte miratuar brenda afatit për shkak të mungesës së Kuvendit funksional.

Megjithatë, Konjufca vlerësoi se pasqyra e përgjithshme e raportit nuk paraqet rënie të përgatitjes së Kosovës në asnjë fushë, ndërsa theksoi se në disa fusha është shënuar përparim.

“Pasqyra e përgjithshme e Raportit tregon se niveli i përgatitjes nuk kishte rënë në asnjë fushë. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli i përgatitjes thuhet se është ngritur, ndërsa progresi është vlerësuar më mirë se vitin e kaluar në së paku shtatë prej kapitujve”, tha ai.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit