Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për shtrëngim, privim të kundërligjshëm të lirisë dhe lëndim të lehtë trupor në Prizren.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti kishte ndodhur më 3 nëntor 2026, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku pesë persona të dyshuar, të panjohur në atë kohë, dyshohet se kishin sulmuar fizikisht një shtetas të Turqisë dhe më pas e kishin futur me forcë në një automjet të tipit “pick-up”.
Pas pranimit të një video-incizimi për rastin, hetuesit kanë nisur veprimet për identifikimin e viktimës, i cili është identifikuar një ditë më vonë.
Gjatë intervistimit, viktima ka deklaruar se pas sulmit fizik, gjatë të cilit kishte pësuar lëndime të shumta trupore, përfshirë edhe nga një mjet i prehtë (thikë), ishte dërguar kundër vullnetit të tij në një objekt në Prishtinë.
Aty, sipas deklarimit të tij, ishte mbajtur për rreth 12 orë. Viktima ka pretenduar se të dyshuarit e kishin detyruar të hiqte dorë nga punimet ndërtimore që po i kryente në një objekt banesor në Prizren.
Pas hetimeve intensive, më 9 dhe 10 nëntor, Policia ka identifikuar dhe arrestuar pesë personat e dyshuar, të gjithë shtetas të Turqisë.
Automjeti i përdorur në rast është gjetur dhe sekuestruar përkohësisht me urdhër të Prokurorisë së Shtetit në Prizren.
Me vendim të prokurorit, pesë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprat penale “Shtrëngim”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.









