Dardan Bujupi, djali i ish-deputetes dhe ish-këshilltares së presidentes Vjosa Osmani, zyrtar në Ministrinë e Ekonomisë, dyshohet se është kërcënuar me armë të hënën gjatë një incidenti në objektin e Ministrisë.
Siç raporton sot Gazeta bazuar në burime, Bujupi është ndjekur me revole nga Sami Shaqiri, një koleg i tij në Ministrinë e Ekonomisë.
Një mosmarrëveshje rreth një komisioni disiplinor dyshohet se i ka paraprirë këtij kërcënimi.
Konflikti kishte nisur rreth një komisioni disiplinor ku bënte pjesë Shaqiri. Bujupi kishte refuzuar të merrte pjesë në komision, me arsyetimin se ishte epror i Shaqirit.
Para incidentit, Shaqiri i kishte kërkuar Bujupit me email t’ia plotësonte një formular. Bujupi i ishte përgjigjur që ta plotësonte vetë dhe t’ia sillte për nënshkrim.
Sipas të njëjtave informacione, Shaqiri më pas dyshohet se e ka ndjekur Bujupin deri në tualetin e ministrisë, ku dyshohet se e ka kërcënuar me armë.
Gazeta raportoi se Shaqiri është arrestuar pas incidentit të hënën.









