Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën e kësaj partie për mbajtjen e një debati parlamentar lidhur me gjendjen në sektorin e energjisë elektrike. Pas mbledhjes së Kryesisë, Tahiri ka bërë të ditur se debati do të zhvillohet në seancën e së enjtes, ku pritet të diskutohen mungesa e energjisë elektrike, çmimet e larta, transaksionet dhe mënyra e blerjes së rrymës.
“Kërkesa e grupit tonë parlamentar, pra kërkesa e Aleancës, është miratuar. Të enjten do të debatojmë për energjinë. Do të debatojmë për temën më të rëndësishme sot për sot që e ka Kosova”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka ngritur shqetësime lidhur me shpenzimet për importin e energjisë elektrike gjatë viteve të qeverisjes aktuale, duke pretenduar se për blerjen e rrymës janë shpenzuar mbi 1 miliard euro. Sipas tij, këto shpenzime dhe procedurat e blerjes së energjisë duhet t’i nënshtrohen jo vetëm hetimit nga organet e drejtësisë, por edhe shqyrtimit në Kuvend.
“Blerja e rrymës mbi 1 miliard euro është një çështje që do të duhej të kishte jo vetëm hetim brenda Prokurorisë, por edhe hetim dhe diskutim parlamentar, për shkak se është e pabesueshme që për gjashtë vjet mos me mujt me u renovu B1”, është shprehur Tahiri.
Ai ka kritikuar gjithashtu gjendjen e njësisë B1, duke pretenduar se ajo nuk është funksionale dhe se nuk pritet të rikthehet në funksion, gjë që, sipas tij, do ta thellojë varësinë e Kosovës nga importi i energjisë elektrike. Tahiri ka theksuar se problemet në sektorin energjetik ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e vendit dhe në koston e jetesës së qytetarëve.
“Tema e energjisë është tema kyçe për Kosovën, është tema kyçe për ekonominë, mbi të gjitha për çmimet e larta që janë në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Përveç energjisë, në seancën e së enjtes pritet të diskutohet edhe gjendja në sektorin e shëndetësisë, me theks të veçantë te shërbimet që ofrohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).Tahiri ka vlerësuar se qytetarët dhe familjet përballen me vështirësi të shumta gjatë kërkimit të trajtimit mjekësor në institucionet publike shëndetësore.
“Në seancën e të enjtes mendojmë se ballafaqimi me QKUK-në, ballafaqimi me kërkesën e një shërbimi shëndetësor është ballafaqim me stresin më të madh që mund ta ketë një familje”, ka thënë ai.
Kreu i deputetëve të AAK-së ka kritikuar edhe planifikimin buxhetor të Qeverisë për vitin 2027, duke e cilësuar të pamjaftueshëm buxhetin e paraparë për sektorin e shëndetësisë. Ai ka paralajmëruar se në Kuvend do të kërkohet diskutim për cilësinë e shërbimeve publike shëndetësore, kushtet në institucionet përkatëse dhe financimin e këtij sektori.








