Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në transportin hekurudhor në Kosovë, ku qarkullimi i trenave pritet të ndërpritet sot si pasojë e grevës së punëtorëve të “Infrakosit”.
Ymeri ka theksuar se kjo situatë shënon një moment të pazakontë për vendin, pasi pas më shumë se 150 vjetësh, Kosova po përballet me ndërprerjen e qarkullimit hekurudhor.
Në reagimin e saj, ajo ka rikujtuar historikun e ndërtimit të hekurudhave në Kosovë, duke iu referuar vitit 1874, kur nisi ndërtimi i linjave të para hekurudhore.
Reagimi i plotë i Janina Ymerit:
“Në Kosovë, ndërtimi i linjave të para hekurudhore filloi në vitin 1874, kur u ndërtua vija e parë hekurudhore në relacionin Hani i Elezit për në Fushë-Kosovë dhe Mitrovicë. (Shënim Wikipedia)
Pas 151 vjetësh, në vitin 2025, Kosova shënoi 0 neto tonë transport hekurudhor të mallrave. (ASK).
Pas 152 vjetësh, në vitin 2026, po me Kurtin, u ndërpre edhe qarkullimi i trenave.
Ta gëzojmë stagnimin e shtetit, me import të rrymës miliona në ditë.”








