Përkundër faktit se në vazhdimësi ishte diskutuar mundësia e ndërtimit të një stadiumi nacional, i cili do të shërbente për ceremoninë hapëse dhe mbyllëse të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duket se tashmë një nga alternativat kryesore është zgjerimi dhe renovimi i stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka thënë për KosovaPress se zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri” është një mundësi që duhet shqyrtuar, por sipas tij, ndërtimi i një stadiumi të ri mund të rezultojë më i lirë sesa renovimi i të vjetrit.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për infrastrukturën përreth stadiumit, duke vlerësuar se hapësira aktuale nuk është e përshtatshme për të përballuar numrin e madh të shikuesve që pritet të jenë të pranishëm në një ngjarje të tillë.
“Ka qenë një prej mendimeve që stadiumi “Fadil Vokrri” të rinovohet, të ketë ulëse shtesë që është një projekt që mund të bëhet, por unë mendoj që ndoshta më lirë na kushton ta bëjmë një stadium të ri sesa ta rinovojmë të vjetrin, sepse e dimë që është një stadium goxha i vjetër dhe betoni nuk e di sa i përmbush kriteret që të rinovohet. Për t’u rrëzuar gjysma e të bëhet prej fillimit, ndoshta kushton, por brenga ime kryesore te stadiumi “Fadil Vokrri”, edhe pse i duhet Prishtinës ndoshta në qendër, nuk është keq ta kemi stadium të tillë, por duke pasur parasysh që për një herë vijnë krejt ata njerëz, 25.000 shikues, sepse duhet pasur 25.000 ulëse, të gjithë ata vijnë me autobusë, infrastruktura rreth stadiumit është shumë e vogël dhe e papërshtatshme për qasje… Duhet hapësirë shumë e madhe rreth stadiumit, sepse stadiumi mund të bëhet, mirëpo nëse nuk e kemi infrastrukturën rreth stadiumit, ka me qenë pak problem, por nuk është punë që nuk zgjidhet. Të shohim, në mbledhjen e ardhshme ne jemi për, edhe të rindërtojmë stadiumin “Fadil Vokrri”, të jetë me 20.000 deri në 25.000 ulëse, por edhe nëse bëhet një stadium i ri diku rreth Prishtinës, do të jetë i mirëseardhur”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli, e ka vlerësuar si ide të mirë zgjerimin dhe modernizimin e stadiumit “Fadil Vokrri”. Ai ka theksuar se edhe ky stadium, së bashku me atë “Adem Jashari” në Mitrovicë, mund të shërbejnë për ceremonitë hapëse dhe mbyllëse të Lojërave Mesdhetare.
Sokoli ka rikujtuar se ndërtimi i stadiumit nacional mbetet i nevojshëm për futbollin kosovar dhe përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Unë mendoj se nuk është ide e keqe që stadiumi “Fadil Vokrrit” të zgjerohet dhe të përshtatet apo të ndërtohet në një kompleks pak më modern dhe kjo është ide shumë e mirë. Por kur janë pyetje Lojërat Mediterane, unë mendoj që edhe në stadiumin “Fadil Vokrri”, edhe në stadiumin “Adem Jashari” mund të hapen dhe të mbyllin Lojërat Mesdhetare… Jo, nuk është hequr dorë prej stadiumit nacional, sepse ai është i nevojshëm për futbollin dhe Kosovën në përgjithësi. Është imazhi ynë në arenën ndërkombëtare, prandaj unë besoj që rreth stadiumit nacional së shpejti duhet të vendoset cili është opsioni më i mirë. Sipas mendimit tim, opsioni më i mirë është stadiumi “Fadil Vokrri” të ketë një projekt të ri, të zgjerohet për numër të caktuar, por para së gjithash të sigurohen hapësira adekuate për akomodim të sportistëve”, u shpreh Sokoli.
Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Sporteve Universitare, Musa Selimi beson se stadiumi “Fadil Vokrri” mund të bëhet gati për ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare përmes një projekti profesional, duke shtuar ulëse në tribunat lindore, veriore dhe jugore.
Sipas tij, një periudhë dyvjeçare do të ishte e mjaftueshme për të përmbushur kriteret e nevojshme, ndërsa organizimi i ceremonisë në qendër të Prishtinës do të sillte përfitime edhe për ekonominë dhe gastronominë.
“Me një punë të mirë e profesionale mund të shtohen ulëset në pjesën e lindjes, pse jo edhe në veri dhe jug. Derisa pjesa perëndimore është pak më e vështirë. Dhe një periudhë dyvjeçare mendoj që mund të plotësohen të gjitha kriteret që pjesa e ceremonisë hapëse të lojërave të bëhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, mbase edhe për shumë arsye, ka pjesa tjetër e aktiviteteve kulturore, përfitojnë të gjithë, ekonomia, gastronomia, të gjithë të tjerët dhe mendoj që është një zgjidhje, është një zgjidhje”, ka thënë Selimi.
Përfundimisht, zgjerimi dhe modernizimi i stadiumit “Fadil Vokrri” po shihet gjithnjë e më shumë si një alternativë për organizimin e ceremonive të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, megjithëse mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar dhe nëse projekti mund të realizohet brenda afateve të parapara.








