Detaje nga dosja hetimore e SPAK, të trajtuara në emisionin “Në Shënjestër”, hedhin dritë mbi mënyrën se si është projektuar vila 188/1 në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Prokurorët dyshojnë se kjo pronë i përket ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas dosjes, më 14 shtator 2020, arkitekti Alban Eftimi i ka dërguar asaj një email me propozime për projektin. Në të përshkruhen detaje si shkallët me gjelbërim kacavjerrës, pishina infinity me hapësirë për tavolinë ngrënieje dhe tarraca e veshur me dru teak.
Në komunikimet elektronike të administruara nga hetuesit, Balluku shfaqet si kliente e studios së arkitekturës “Atelier 4”.
Projekti parashikonte gjithashtu vendosjen e vaskave me hidromasazh në të dy krahët e ndërtesave. Arkitekti i referohej hotelit “Roccabella” në Santorini si model për këtë element të projektimit. Në një tjetër komunikim të cituar në dosje, thuhej se për investitorin ishte shumë i rëndësishëm zbatimi me përpikmëri i projektit.
SPAK ka administruar komunikime ku diskutohen ndryshime strukturore në dy vilat ngjitur, 187/2 dhe 188/1, si dhe ndërtimi i pishinës. Sipas hetimeve, këto mesazhe tregojnë se Balluku ishte e përfshirë në diskutimet për projektimin dhe përshtatjen e vilës, ndërsa emri i saj shfaqet në komunikimet me studion si klientja për të cilën po realizohej projekti.
Balluku është nën hetim nga SPAK për akuza që përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave, fshehjen e pasurisë dhe abuzimin me tenderat. Hetimet përfshijnë nëntë procedura tenderimi për projekte infrastrukturore, si Tuneli i Llogarasë, Unaza e Jashtme e Tiranës dhe aksi Porto Romano-Durrës. Në kuadër të kësaj dosjeje janë marrë të pandehur edhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, biznesmenë dhe ish-futbollisti Igli Tare.








