Pronari i depos së armëve “Tactical” në Gjakovë, Valon Curri, është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se e kishte inskenuar vjedhjen e mbi 100 armëve të shkurtra, me vlerë që kalon 100 mijë euro.
Rasti ishte raportuar më 30 tetor, kur ishte pretenduar se nga depoja në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë ishin zhdukur më shumë se 100 armë. Në raportimin fillestar ishte ngritur edhe dyshimi për mënyrën e hyrjes në objekt, pasi dera nuk kishte shenja të thyerjes me forcë, shkruan Insajderi.
Por, hetimet e Policisë kanë çuar në një dyshim tjetër për këtë rast.
Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kanë ngritur dyshimin se raportimi i pronarit për vjedhjen ishte inskenim.
Policia dyshon se armët që ndodheshin në këtë poligon të licencuar ishin keqpërdorur dhe shitur te persona të tretë nga vetë pronari.
“Hetimet kanë rezultuar me ngritjen e dyshimit të arsyeshëm se raportimi i pronarit të depos-poligonit ka qenë inskenim i vjedhjes dhe se armët në këtë poligon të licencuar janë keqpërdorur, përkatësisht janë shitur për palët e treta nga vetë pronari i poligonit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në kuadër të hetimeve, më 3 nëntor janë kontrolluar tri lokacione në rajonin e Gjakovës, me qëllim të sigurimit të provave për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Deklarimi i rremë”.
Gjatë këtij operacioni është arrestuar Valon Curri, ndërsa Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar dëshmi që do të përdoren në procedurën penale.
Me vendim të prokurorit, Curri është dërguar në mbajtje për 48 orë.








