Një person është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se ishte pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal që merrej me kontrabandimin e migrantëve nga Turqia drejt vendeve të Evropës.
Arrestimi është bërë më 3 nëntor, në një operacion të Policisë së Kosovës, përkatësisht Sektorit të Hetimeve të Departamentit për Kufi, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë,.
Sipas hetimeve, i dyshuari kishte rol në rekrutimin e shoferëve, të cilët më pas pajiseshin me automjete, para dhe harta të lëvizjes për transportimin e migrantëve.
Policia thotë se migrantët dërgoheshin nga kufiri mes Turqisë dhe Greqisë, fillimisht në Selanik, për të vazhduar më pas rrugën nëpër shtete të tjera drejt Evropës.
I dyshuari dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti ndërkombëtar kriminal që vepronte në disa shtete të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë operacionit, policia ka bastisur edhe banesën e tij në Prishtinë, ku ka sekuestruar 1 mijë e 760 euro para të gatshme dhe dokumente të ndryshme të transaksioneve financiare.
Pas intervistimit në prani të avokatit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.








