Dasma nëpër institucione: Kurti i “ha” fjalët e veta për punësimin e familjarëve

Punësimi i familjarëve në institucione publike ishte një nga praktikat që Lëvizja Vetëvendosje e kritikonte vazhdimisht sa ishte në opozitë.

Para zgjedhjeve të shkurtit 2021, në një tubim së bashku me Vjosa Osmanin, Kurti kishte deklaruar se institucionet nuk duhet të shfrytëzohen për punësimin e familjarëve.

“Është e rëndësishme që përfaqësimin e Kosovës ta kenë njerëzit më të ndershëm dhe më të dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbushë as ministritë me kushëri. Kushërinjtë janë për shtëpi. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministri”, kishte thënë Kurti.

Madje, Donika Gërvalla, gjatë kohës sa ishte ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kishte nënshkruar vendimin 113/2024, me të cilin ndalohej punësimi i familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të kësaj ministrie.

Gërvalla kishte deklaruar se punësimi në MPJD dhe rekrutimi i diplomatëve të rinj duhej të bëhej vetëm përmes konkurseve të hapura, duke u bazuar në meritë dhe kritere profesionale.

Megjithatë, gjatë viteve të fundit janë raportuar disa raste që lidhen me punësimin e familjarëve të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes.

Ndër rastet e fundit është ai i Rina Dragidellës, mbesës së ministrit Xhelal Sveçla, e cila është emëruar Sekretare e Dytë në Ambasadën e Kosovës në Washington. Ajo ishte punësuar në MPJD në nëntor të vitit 2025, ndërsa vendimi për emërimin e saj në pozitën diplomatike është nënshkruar nga Glauk Konjufca më 15 maj 2026.

Në kohën kur ishte hapur konkursi për pozitat diplomatike, në mars të vitit 2026, Dragidella nuk kishte as katër muaj përvojë pune në ministri. Ndërkaq rregullorja për Shërbimin e Jashtëm kërkon së paku një vit përvojë pune në ministri për punonjësit që nuk kanë gradë diplomatike ose konsullore.

Ky nuk është rasti i vetëm që lidhet me familjen e Sveçlës. Më herët, mediat kishin raportuar edhe për punësimin e motrës së tij, Magbule Hysenit, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Ajo ishte emëruar në pozitën e Zyrtares së Lartë të Pagesave Direkte.

Një tjetër rast është ai i Kaltrina Dalipit, vajzës së axhës së Luan Dalipit, ish-shefit të kabinetit të kryeministrit Kurti. Ajo ishte emëruar Sekretare e Dytë në Ambasadën e Kosovës në Berlin, me vendim të nënshkruar nga Konjufca më 15 maj 2026.

Para emërimit, Kaltrina Dalipi kishte punuar në Divizionin e Prokurimit Publik në MPJD, e cila nuk kishte gradë diplomatike të fituar sipas procedurave dhe nuk kishte kaluar nëpër Komisionin e Gradave.

Në të njëjtën ministri ishte punësuar edhe motra e saj, Flaka Dalipi, gjatë kohës kur MPJD-ja udhëhiqej nga Donika Gërvalla.

Në listën e emërimeve është edhe Vera Rexhepi Leci, bashkëshortja e Burim Lecit, bashkëpunëtorit të Luan Dalipit. Me vendim të Glauk Konjufcës, ajo është caktuar konsulle e Kosovës në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me mandat katërvjeçar.

Sipas dokumentit të siguruar nga Nacionale, detyrën e ka nisur më 1 tetor 2026. Në vendim nuk sqarohet procedura përmes së cilës është përzgjedhur, ndërsa sipas raportimit, ajo nuk kishte gradë diplomatike apo konsullore të fituar më parë.

Rast tjetër është edhe ai i Mirjeta Durmishit, bashkëshortes së ish-zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi. Ajo ka bërë të ditur vetë se është emëruar këshilltare politike e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në njoftimin e saj, Durmishi kishte falënderuar drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin Vitia për emërimin.

“Faleminderit kryeministër Kurti! Faleminderit ministër Vitia! Jam e nderuar që, nga sot, të jem këshilltare politike e ministrit më të suksesshëm të Qeverisë së Kosovës, z. Arben Vitia”, shkroi Durmishi.

Kështu, pesë vjet pas deklaratës së Kurtit se “s’ka dasma nëpër ministri” dhe dy vjet pas vendimit të Gërvallës për ndalimin e punësimit të familjarëve në MPJD, disa raste të emërimeve dhe punësimeve të personave me lidhje familjare me zyrtarë të pushtetit janë bërë publike.

Për këto raste, çështjet që mbeten për t’u sqaruar janë procedurat e përzgjedhjes, përmbushja e kritereve ligjore dhe mënyra se si është vlerësuar secili kandidat.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit