Tri kompani që kanë importuar misër nga Serbia janë detyruar ta asgjësojnë gjithsej 5,560 kilogramë të tij, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar se përmbante aflatoksinë B1 mbi kufijtë maksimalë të lejuar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përdorimin dhe tregtimin e këtij misri, ndërsa më 29 tetor 2026 ka mbikëqyrur asgjësimin e tij në tri subjekte ekonomike.
Sipas njoftimit të AUV-së, sasitë e asgjësuara janë:
Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë – 3,270 kilogramë;
Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës – 1,040 kilogramë;
NTP “Te Hysi” në Shtime – 1,250 kilogramë.
Aflatoksina B1 është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.
AUV paralajmëron se, përmes ushqimit të kontaminuar për kafshë, kjo toksinë mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.
Agjencia u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër në të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të aflatoksinës B1.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe AUV do të vazhdojnë kontrollet zyrtare, analizat laboratorike dhe ndërmarrjen e masave për parandalimin e qarkullimit të produkteve që paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve”, thuhet në njoftim.








