Një aksident i rëndë trafiku që kishte ndodhur javën e kaluar në Mitrovicë ka marrë epilog tragjik. Berat Asllani, i cili kishte mbetur me lëndime të rënda pasi motoçikleta e tij u përplas me një veturë, ka ndërruar jetë në QKUK, pas gjashtë ditësh trajtimi mjekësor.
Burimet e Gazetës bëjnë me dije se lajmi për vdekjen e Asllanit është raportuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, më 30 tetor, rreth orës 03:40, ndërsa viktima ndodhej në trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ngjarja kishte ndodhur më 24 tetor, rreth orës 21:25, në rrugën “Ahmet Selaçi” në Mitrovicë, ku ishin përfshirë një veturë Peugeot, ngjyrë hiri, dhe një motoçikletë BMW, ngjyrë e kuqe.
Por çfarë dyshohet se e shkaktoi aksidentin që i mori jetën motoçiklistit?
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, drejtuesi i veturës, Samedin Ahmeti, dyshohet se duke lëvizur në rrugën “Muhamet Gashi”, nuk e kishte respektuar shenjën e komunikacionit STOP në udhëkryqin me rrugën “Ahmet Selaçi”.
Si pasojë, ai dyshohet se kishte hyrë në udhëkryq pa u siguruar se nuk po pengonte pjesëmarrësit e tjerë në trafik, duke u përplasur me motoçikletën që drejtohej nga Berat Asllani, i cili po lëvizte në rrugën me përparësi kalimi, në drejtim të qendrës së qytetit.
Goditja kishte qenë e rëndë, ndërsa Asllani kishte pësuar lëndime trupore që ia rrezikonin jetën.
Fillimisht, ai ishte dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, por për shkak të gjendjes së rënduar ishte transferuar me urgjencë në QKUK, ku kishte vazhduar trajtimin mjekësor.
Fatkeqësisht, pas gjashtë ditësh, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra.
Burimet bëjnë të ditur se pas aksidentit, ndaj shoferit të veturës ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti ishte marrë në hetim nga njësia përkatëse e trafikut në Mitrovicë.
Pas konfirmimit të vdekjes së Asllanit, janë njoftuar organet kompetente dhe është urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë eventuale penale për aksidentin që tashmë ka përfunduar me fatalitet.








