Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas intervistimit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe të ofrojë sqarime për projektin e “Arkitektit të Qytetit”.
Rama ka thënë se vazhdimisht ka kërkuar bashkëpunim me Prokurorinë, jo vetëm për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera.
“Po, edhe unë u thashë që unë kam kërkuar faktikisht vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera. Jemi totalisht transparentë, për këtë arsye edhe kam ardhur me diskutuar, me biseduar, përkundër faktit që disa, si kryeministri, mos të përmend emra, që nuk shkojnë, do të thonë ne jemi të gatshëm gjithmonë për bashkëpunim me Prokurorinë, sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, ndërtimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është me e ditë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, tha Rama.








