Me 90 vota për, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Pjesë e këtij komisioni janë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani.
Komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të ketë mandat maksimal prej gjashtë muajsh.
Kryetar i komisionit do të jetë Burim Ramadani nga Aleanca, ndërsa pozitën e zëvendëskryetarit do ta mbajë Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Përveç Osman Musliut dhe Adelinë Tërshanit, nga radhët e LVV-së në komision do të jenë edhe Armend Baloku dhe Arijeta Rexhepi, si dhe zëvendëskryetari Adnan Rrustemi.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përfaqësohet nga Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nga Doarsa Kica-Xhelili.
Në përbërjen e komisionit do të jenë edhe Jovana Radosavljević dhe Emilija Rexhepi, si përfaqësuese të komuniteteve.
Komisioni do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe çështjet që lidhen me trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.








