Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen e rëndë të kunatës së tij, Arlinda Zekaj-Sylaj.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharaxhiu, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, përkatësisht Departamentit për Krime të Rënda.
Sipas njoftimit të gjykatës, Albert Sylaj dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Masa e paraburgimit llogaritet nga data 27 tetor 2026, në orën 23:40, dhe do të zgjasë deri më 27 nëntor 2026.
Albert Sylaj dyshohet se më 25 tetor 2026 e vrau me sëpatë kunatën e tij, Arlinda Zekaj-Sylaj, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Kundër aktvendimit për caktimin e paraburgimit, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Pejë.








