Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka bërë thirrje për llogaridhënie institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Ajo ka vënë në pah dështimet e instiucioneve për mbrojtjen e grave që përjetojnë dhunë në familje.
Gjatë seancës së Kuvendit, Ymeri është ngritur në këmbë me një fletë në dorë, ku shkruhej “Pa fëmijë, pa familje”, duke përcjellë një mesazh në lidhje me rastin dhe pasojat e tij.
“Unë e kam ndërmend t’ju tregoj se çfarë i bëni ju një gruaje që është e dhunuar dhe e frikësuar. Ku e çoni ju këtë grua? Ku e çoni ju këtë grua?. Te vëllai s’du, te burri më ka rrehë… Mos më çoni në QPS, në QPS vritem, qysh jam vra në Ferizaj”, ka thënë Ymeri, duke paraqitur fjalët e një gruaje që kërkon mbrojtje.
Ajo ka thënë se pushteti po flet që “duhet, duhet” të mirren përgjegjësitë, por sipas saj, s’po marrin asnjë përgjegjësi vetë.
“Kush duhet për juve” ka përfunduar Ymeri duke iu drejtuar minsitres Gërvalla.








