Familja e Liridona Ademajt, e vrarë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ka shprehur ngushëllime për familjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.
Mesazhi i nënës së Liridonës për familjarët e Arlindës u publikua në Facebook nga vëllai i saj, Leonard Ademaj.
Nëna e Liridonës ka shprehur solidaritetin me familjen e viktimës, duke kujtuar dhimbjen e humbjes së vajzës së saj dhe duke thënë se e kupton tragjedinë që po përjetojnë familjarët e Arlindës.
“Ngushëllime nga zemra familjarëve të Arlindës. Si nënë që e kam përjetuar dhimbjen më të madhe në jetë, humbjen e vajzës sime nga krimi, e di mirë se çfarë do të thotë kur ta marrin fëmijën e ta copëtojnë zemrën përgjithmonë”, thuhet në mesazhin e saj.
Ajo ka shkruar se lajmi për vrasjen e Arlindës ia ka rikthyer dhimbjen për humbjen e vajzës.
“Kur e mora vesh se edhe një çikë e Kosovës, Arlinda, u bë viktimë e vrasjes, m’u rihapën plagët e shpirtit dhe m’u copëtua zemra prapë”, thuhet në mesazh.
Në fund, nëna e Liridonës ka bërë thirrje që drejtësia të veprojë sa më shpejt, duke e konsideruar atë si të vetmen mënyrë për t’u sjellë sadopak ngushëllim familjarëve të Arlindës.
“Vetëm drejtësia e shpejtë mund t’i ngushëllojë familjarët”, ka shkruar ajo.








