Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka kritikuar vendimin e kësaj partie për t’i kërkuar presidentes kthimin në Kuvend të ligjit për Dhomat e Specializuara, ka vlerësuar se dorëheqja e Bedri Hamzës nga posti i kryetarit të partisë, një ditë më parë, mund të lidhet pikërisht me këtë çështje.
Haxhiu ka deklaruar se, bazuar në zhvillimet e fundit, duket se Bedri Hamza nuk është pajtuar me kërkesën për kthimin e ligjit për rishqyrtim.
“Po shihet që edhe dorëheqja e kryetarit ka qenë mu për këtë, sigurisht që as ai nuk është pajtuar me këtë që me ju drejtua presidentes dhe e ka pa të nevojshme që ta zgjedh rrugën e tij në këtë moment. Dorëheqja ka qenë një ditë përpara, ndërsa kërkesa për kthim të ligjit vjen një ditë pas, atëherë shihet se Bedriu nuk ka pranuar që të adresohet kjo kërkesë të presidentja dhe ka hap rrugë që të tjerët ta bëjnë atë”, ka thënë Haxhiu.
I pyetur nëse çështja e ligjit mund të ketë ndërlidhje me garën për kryetar të PDK-së, Haxhiu ka theksuar se ambiciet personale nuk mund të jenë më të rëndësishme sesa mbrojtja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Mendoj që përtej çdo ambicie të çdo kujt që mund të ketë për ta udhëhequr PDK-në, kauza jonë për UÇK-në dhe mbrojtjen e luftës së saj është më e madhe se çdo individë kushdo dhe çfarë do ambicieje që mund të ketë”, është shprehur ai.
Sipas Haxhiut, kryesia aktuale e PDK-së e ka humbur besimin pas këtij veprimi dhe duhet të zëvendësohet me një kryesi të re.
Ai ka shtuar se, nëse ka pasur kërkesë për rishqyrtimin e ligjit, një gjë e tillë është dashur t’i bëhej e ditur opinionit publik dhe protestuesve.
Presidentja Shiroka-Pula e ka kthyer për rishqyrtim ligjin për Dhomat e Specializuara, pas kërkesës së PDK-së.
Ndërkaq, Përparim Gruda, udhëheqës i grupit punues për hartimin e këtij ligji, ka deklaruar se në të nuk ka asnjë gabim.








