Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje politikanëve dhe qytetarëve që të mos e cilësojnë vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë si dënim ndaj vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Abdixhiku ka shmangur paragjykimin e procesit gjyqësor, i cili aktualisht ndodhet në fazën e apelit.
Megjithatë, ai ka theksuar se politikanët duhet të përmbahen nga përdorimi i një gjuhe të tillë, duke bërë të ditur se këtë qëndrim ua ka përcjellë edhe të tjerëve.
“Ju lutem, mos e thoni, mos e thoni që dënohet UÇK-ja, sepse s’dënohet UÇK-ja. Ju lutem, kjo nuk bën të thuhet kështu…edhe kështu ua kam kërkuar të gjithë liderëve politikë…edhe kështu e kërkoj vazhdimisht dhe dua të argumentojmë, dhe jam në gjendje të argumentoj me secilin njeri kundërshtar të republikës së Kosovës që UÇK-ja nuk është kriminale. Nuk po them katër, tre, dy, një nuk mund ta paragjykoj procesin sepse është në proces, ju lutem. Por ajo që po them është që duhet nuk bën ta themi këtë gjuhë. Kjo nuk bën të thuhet…kjo gjuhë. Edhe po të ishte ashtu, e që s’është, edhe po të ishte ashtu ne do të duhej të bënim gjithçka që mos mos ta merrnim përsipër këtë autorësi. Kjo gjuhë nuk është e jona”, ka deklaruar ai.








