Në maj të vitit 2021, Lumir Abdixhiku, kishte konfirmuar se Përparim Rama do të jetë kandidat për Prishtinën. Kreu i LDK’së atë kohë rrëfente për përpjekjet e tij për ta bindur Ramën që të kthehej nga Londra për t’u marrë me problemet e kryeqytetit që deri në atë kohë ishte qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Abdixhiku nuk kursente lavdet për Përparim Ramën, duke përmendur përvojën e tij prej një arkitekti urbanist me renome botërore.
“Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë pa dallim”, kishte thënë Abdixhiku më 29 maj të vitit 2021.
Kreu i LDK’së atë kohë kishte thënë se është koha që Rama të ndërpriste rrugëtimin e tij nëpër botë e të kthehej në Prishtinë.
Në këtë “CV” të parë që Abdixhiku i kishte bërë Ramës, nuk kishte ngurruar që të tregonte edhe detaje për përpjekjet që kishte bërë për ta bindur atë që t’i hynte garës në kryeqytet.
“Gjatë muajve të fundit kam takuar Përparimin disa herë. Kemi folur shtruar e qartë për problemet më bazike të Kryeqytetit. Për ngufatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit – të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës – të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë. Kam qenë i mahnitur jo vetëm me dashurinë e tij ndaj Kryeqytetit por edhe me zgjidhjet e tij për problemet tona më bazike. Përparimi ka vizionin që e kërkojmë tash e sa kohë. Jam i bindur se do ta pranoni këtë vizion”, kishte thënë Abdixhiku për Ramën.
Vetë Rama në nëntor të vitit 2021 kishte dhënë versionin e tij se si kishin nisur përpjekjet nga LDK për ta bindur që të kthehet në Kosovë për ta kandiduar për kryetar. Kreu i Prishtinës në një intervistë kishte thënë se një mik i përbashkët i fëmijërisë i tij dhe Abdixhikut që i kishte kërkuar ta trajtonte seriozisht ofertën
“Në muajin maj e kam marrë një thirrje nga një mik i përbashkët me Lumir Abdixhikun, një mik i fëmijërisë, i cili më kërkoi ta merrja seriozisht këtë ofertë. Fillova të qeshja sepse nuk e mora si të tillë në fillim, por pastaj jam telefonuar prapë dhe sigurisht unë u ndjeva i privilegjuar për këtë”, kishte deklaruar Rama.
Duke folur për takimin e parë me Abdixhikun, Rama kishte thënë se e kishte kuptuar se ai e kishte analizuar mirë dhe se kishte qenë në dijeni për projektet dhe gjithçka tjetër.
“Kjo ka qenë risi për mua sepse deri atë moment unë partitë i kam parë si organizata që të gjitha gjërat i bëjnë brenda partisë, i kanë strukturat e këto, prandaj edhe nuk kam qenë kurrë i interesuar”, kishte thënë Rama.
Abdixhiku nuk ngurronte që të dilte me Përparim Ramën në terren, teksa mbikëqyrnin punimet që po ndodhnin në kryeqytet. Po ashtu nuk i kursente lavdet për punët që Përparim Rama tashmë kishte nisur t’i bënte në Prishtinë.
Në një paraqitje të përbashkët nga vendpunishtja në rrugën A, Abdixhiku kishte thënë se tashmë po flitej për punë konkrete dhe jo për zymtësi e polarizim.
Megjithatë kjo trajektore në ngritje e raporteve të mira mes Abdixhikut e Ramës kishte filluar të marrë teposhtëzën. Deklarimet e kryetarit të Prishtinës se nuk është zyrtarisht pjesë e LDK’së dhe synimi i tij për të kandiduar edhe për një mandat për Prishtinën e kishin bërë më të komplikuar këtë raport.
Në vitin 2024, Abdixhiku ndonëse mbante takime mobilizuese për garën që do të ndodhte në zgjedhjet lokale për Prishtinën, Përparim Rama nuk shihej në këto takime.
Ndonëse flitej gjithandej për prishje të raportit mes tyre, asnjëri ende nuk kishte vendosur të fliste publikisht për këtë raport të tensionuar mes tyre, që dukej se buronte nga mënyra se si Rama e menaxhonte pushtetin dhe nga ajo se sa i lejonte Abdixhikut të përzihej në punët e Prishtinës.
Në nëntor të vitit 2024, vetë Rama kishte thënë se raportet e tij me Lumir Abdixhikun janë të mira dhe se kryetari i LDK’së kishte vendosur që të përkrahte në garën për mandatin e dytë për kryetar të Prishtinës.
Me datën 6 nëntor, të dy ishin shfaqur nga nisja e projektit për ndërtimin e Ishullit Urban mes Arbërisë dhe Pallatit të Rinisë. Abdixhiku përsëri kishte lavdëruar punët që po i bënte Rama.
“Përparimi po e lë një shenjë historike në Prishtinë ashtu siç ka premtuar. Jemi krenarë të gjithë për këtë. Prandaj, Përparim bëhu gati edhe për 3 projekte të mëdha. Për unazën e kryeqytetit, Stadiumin e ri në Bernicë, dhe për spitalin e ri në Prishtinë”, kishte thënë Abdixhiku.
Duket se ky “armëpushim” mes tyre lidhej me faktin se zgjedhjet nacionale ishin shumë afër dhe Abdixhikut i duhej një fitore dhe një rezultat i mirë në Prishtinë. Kreu i LDK’së premtonte investime në Prishtinë nëse do të bëhej kryeministër dhe dilte edhe në fushatë bashkë me Përparim Ramën.
“Sot me Përparimin nuk e kemi ndërmend të flasim për miza, sot me Përparimin e kemi ndërmend të flasim për 1.5 miliard euro investime” kishte thënë Abdixhiku na një tubim elektoral në kryeqytet më 14 janar 2025.
Ky raport i tyre në paqe kishte vazhduar edhe disa muaj më pas, meqë zgjedhjet lokale po afronin. Abdixhiku ia kishte besuar Ramës garën për kryeqytetin, ndërkohë nuk ngurronte që t’i dilte në mbrojtje kryetarit të Prishtinës nga sulmet që i vinin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një tubim për balotazhin e Prishtinës, Abdixhiku kishte thënë se Prishtina s’do t’iu jepet si trofe bllokuesve.
Megjithatë ky raport i paqartë mes Abdixhikut dhe Ramës dhe vetë kreut të Prishtinës me Lidhjen Demokratike të Kosovës tashmë ka nisur të konkretizohet përmes përplasjeve me deklarime publike.
Tashmë shihet hapur që Rama dhe Abdixhiku i kanë ndarë rrugët. Koalicioni i fundit në Prishtinë me PDK’në dhe ndarja e pushtetit në kryeqytet, duke se ka qenë edhe momenti kur raporti i dyshes është çarë përfundimisht.
Deputetë të afërt me Abdixhikun kanë folur për këtë gjë publikisht, duke e konsideruar si të papranueshme që t’i jepen PDK’së më shumë drejtori në Komunë, ndërkohë vetë Rama flet hapur se si nuk lejon që kreu i partisë t’i përzihet në punët e tij në kryeqytet meqë dëshiron t’i shtyjë punët përpara.
Në një intervistë në emisionin Pressing të T7 më 15 tetor 2026, Përparim Rama ka folur për prishjen e raportit me Abdixhikun. Megjithatë kreu i Prishtinës ka thënë se është Abdixhiku ai që i ka prishur raportet.
“Nuk i kam prishë me të, nëse ai i ka prishë me mua, pyetne atë”, ka thënë Rama në Pressing.
Kreu i Prishtinës ka thënë se i qëndron marrëveshjes që kishte bërë me Abdixhikun për të mos lejuar ndërhyrje në qeverisjen e kryeqytetit.
Vetëm pak ditë më vonë, në një intervistë tjetër në Klan Kosova, Rama nuk ka përjshtuar ambicien e tij për të hyrë në garën për kryetar të LDK’së, duke thënë se partia s’duhet të jetë e kënaqur me vendin e tretë.
Kreu i Prishtinës tashmë hapur ka nisur ta eksploatojë përplasjen e tij me Lumir Abdixhikun, ndërkohë që zgjedhjet e brendshme në LDK po afrohen.
Rama po ashtu ia ka përmendur Abdixhikut humbjet rresht dhe sipas tij, një njeri me logjikë të shëndoshë do të lëshonte rrugë.
“Një njeri normal me mendësi të shëndosh duhet me lëshu rend për dikë tjetër me e shty procesin përpara”, ka thënë Rama për Abdixhikun.
Rama tashmë po pretendon se Abdixhiku ka nisur edhe një përpjekje për bashkëpunim me Vetëvendosjen për t’ia marrë shumicën në Asamble.
“Siç kam dëgjuar që ka thirrë shefin e deputetëve të LDK’së, Egzon Pacollin, shko negocio me Gëzim Sveçlën me ia marrë shumicën Përparim Ramës. Mendësi e gabueshme. Kur e sheh që 5 vite kjo qeveri e lufton Prishtinën kryeqytetin, që është e LDK’së bashkë me Perparim Ramën dhe t’i për çka po di unë, duke i ndihmu. Me u marrë me çështje të tilla e organizime të këtyre rrenave që i qesin në publik, më vjen keq kur ndëgjoj gjëra të tilla”, ka thënë Rama.
Kryetari i Prishtinës thotë se janë nxitur edhe thashetheme që janë nxitë nga brenda LDK’së, pa përjashtuar Lumir Abdixhikun, se kinse Rama është i afërt me PDK’në dhe se i ka dhënë pushtet më shumë në Komunë.
“Mendoj që LDK meriton me qenë e parë, siç është në Prishtinë”, ka shtuar tutje Rama.
Të mërkurën, Ramës i ka ardhur një përgjigje nga Lutfi Haziri nënkryetari i LDK, i cili ka thënë se “pa e hapur garën zgjedhore e kalendarin në të gjitha nivelet, nuk i kontribuojmë demokracisë së saj nëse shkaktojmë debat se kush është më i miri për garën e brendshme’.
“Secili që mundet, përmes shembullit personal të suksesit, kontributit e meritës, duhet të garantojë rikthimin e madh të LDK-së. Ai apo ajo le të ftohet nga votuesit për besim në garë”, ka shkruar ai
Përgjatë kësaj periudhe që nga viti 2021, Lumir Abdixhiku sa ka drejtuar LDK’në ka humbur të gjitha zgjedhjet nacionale, ndërkohë që iu ka mbijetuar për pak dy përpjekjeve për shkarkim në LDK.
Zgjedhjet e rregullta për kryetarin e LDK’së do të organizohen në vitin e ardhshëm dhe kësaj gare, Përparim Rama pritet që t’i futet si fitues i dyfishtë i zgjedhjeve në Prishtinë.








