Edhe pse Komisioni për Buxhet nuk ua ndau 1 milion euro, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Kosovës, Fadil Shurdhaj, në një bisedë ka thënë se ka mjete të mjaftueshme për protezat e invalidëve të luftës.
Shurdhaj ka potencuar se invalidët e luftës janë furnizuar dhe vazhdojnë të furnizohen me proteza, ndërsa ka shtuar se personat që ende kanë nevojë për rregullimin e tyre mund ta realizojnë këtë të drejtë edhe përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Është e vërtetë se deri më tani ua kemi rregulluar protezat të gjithë invalidëve që kanë pasur nevojë. Edhe ata që nuk kanë ardhur deri tash, por kanë nevojë për rregullimin e protezave, mund të vijnë, sepse kjo e drejtë realizohet edhe përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Për mjetet financiare që janë paraparë nuk jam i informuar, por, me sa di, mjete ka. Fakti që nuk ka kaluar kjo kërkesë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Ndoshta ka pasur mjete shtesë në fondin që ekzistonte, ose fondi i paraparë për invalidët e luftës tashmë është shpenzuar. Të gjithë janë furnizuar, por furnizimi me proteza po vazhdon edhe në këtë moment që po flasim”, tha Shurdhaj.
Tutje ai për EO-në ka veçuar si problem të veçantë gjendjen e veteranëve të luftës që kanë humbur gjymtyrë ose pjesë të trupit në aksidente, në vendin e punës apo në rrethana të tjera. Sipas tij, këta persona nuk përfitojnë mbështetje të plotë financiare për rregullimin e protezave.
“Një problem ose nevojë e veçantë është çështja e veteranëve të luftës që kanë humbur gjymtyrë ose pjesë të trupit në aksidente, në punë apo në rrethana të ndryshme. Ata nuk e kanë të drejtën e shfrytëzimit të fondit në masën 100%, sikurse ne invalidët e luftës. Neve, pavarësisht sa kushton proteza, na paguhet shuma e plotë. Ndërsa atyre u paguhet vetëm 40%, shumë kjo që nuk mjafton për rregullimin e protezave, ndaj shumë prej tyre mbesin pa i rregulluar ato. Numri i tyre është mjaft i madh. Ata kanë aplikuar përmes ministrisë, por u janë ndarë mjete financiare që nuk mjaftojnë për rregullimin e protezave”, ka deklaruar ai.
I pyetur se cilat do të ishin kërkesat drejtuar ministrisë dhe kryeministrit për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen invalidët e luftës, Shurdhaj ka bërë të ditur se përfaqësuesit e shoqatës kanë zhvilluar takime me ministrin e Punës, Familjes dhe Luftës, Andin Hoti, të cilit ia kanë paraqitur kërkesat e tyre.
Ai ka treguar se njëra nga kërkesat kryesore është plotësim-ndryshimi i ligjit, por ka shprehur pakënaqësi me afatin e paraparë për realizimin e tij.
“Ne kemi pasur takime me ministrin e Punës, Familjes dhe Luftës, zotin Hoti. Ia kemi paraqitur kërkesat tona. Së pari, kërkojmë rregullimin e çështjeve përmes plotësim-ndryshimit të ligjit, por nuk jemi të kënaqur me afatin e paraparë, pasi është shtyrë për vitin e ardhshëm. Kjo është shumë larg.Kemi nevojë edhe për banja rehabilituese. Në të kaluarën, qeveritë e mëparshme u kanë mundësuar invalidëve të luftës të shkojnë në banja, pasi kjo është e drejtë e përcaktuar me ligj. Që nga ardhja e kësaj qeverie, në kohën e Kurtit 2, asnjë kërkesë e jona për banja rehabilituese për invalidët e luftës nuk është realizuar”, shtoi Shurdhaj.
Një tjetër problem që ai ka ngritur lidhet me mbështetjen për invalidët e luftës që vuajnë nga sëmundje të rënda. Sipas tij, ata detyrohen të kërkojnë ndihmë financiare për të përballuar shpenzimet e trajtimit.
“Kemi edhe kërkesa të tjera që lidhen me sëmundjet e rënda. Si shoqatë apo si individë, ne invalidët detyrohemi të dalim e të kërkojmë mjete financiare për shërim dhe trajtim, pasi shpenzimet janë marramendëse. Problemi qëndron te udhëzimi administrativ. Ne kemi të drejtë në mbulimin e 100% të shpenzimeve, por ekziston edhe një kuotë financiare, e cila nuk mund të tejkalohet sipas këtij udhëzimi. Prandaj, i kemi kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të hiqet kuota për invalidët e luftës për trajtimin dhe shërimin jashtë vendit, veçanërisht për sëmundjet malinje dhe sëmundjet e tjera të rënda”, potencoi Shurdhaj.
Ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të hiqet kuota financiare për invalidët e luftës për trajtimin jashtë vendit, veçanërisht në rastet e sëmundjeve malinje dhe sëmundjeve të tjera të rënda, duke theksuar se kufizimet e përcaktuara në udhëzimin administrativ po ua vështirësojnë realizimin e kësaj të drejte.
Ndryshe, Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.








