Skema e mashtrimit me ujë në vend të naftës – 12 të akuzuar, përfshirë pronarin e një rrjeti të madh

Faruk Mazrek dhe djali i tij, Fariz, të dy nga Mamusha, akuzohen nga Prokuroria Speciale për krijimin e një rrjeti që dyshohet se pastronte para përmes gjoja tregtimit të derivateve të naftës.

Ky rrjet, i cili shtrihej në territorin e Kosovës dhe dyshohej se bashkëpunonte me shtetas shqiptarë, blinte derivate të naftës nga një kompani në Shqipëri me qëllim importimin e tyre në Kosovë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, sasia e naftës së blerë nuk importohej në Kosovë. Ajo paraqitej rrejshëm në dokumente pranë doganës. Nafta dyshohet se zëvendësohej me ujë gjatë rrugës për në Kosovë, sipas një njoftimi të Prokurorisë të martën.

Nafta e hequr gjatë rrugës për në Kosovë, hynte në tregun e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, përveç Faruk Mazrek dhe djalit të tij, Farizit, pjesë e këtij rrjeti ishin edhe dhjetë persona të tjerë.

Në total, Prokuroria Speciale akuzon 12 persona për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, lidhur me mashtrimin, shmangien nga tatimi, armëmbajtjen pa leje, falsifikimit, përdorimit të armës dhe shpëlarjes së parave.

Në mesin e të akuzuarve ndodhet edhe Dashnim Miftari, një nga biznesmenët më të fuqishëm të industrisë së naftës në Kosovë, i cili u arrestua bashkë me tetë të tjerë në një aksion policor të urdhëruar nga Prokuroria Speciale më 1 korrik.

Mifari është pronar i biznesit të derivateve “Veda -2- Petroll” Sh.P.K..

Rrjeti në pronësi të biznesmenit të dyshuar për pjesëmarrje në grupin e organizuar kriminal të mashtrimit, konsiderohet si një nga më të mëdhat në vend.

Sipas të dhënave publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, “Veda -2- Petroll” Sh.P.K. menaxhon 50 pika të karburanteve dhe markete.

Në njoftimin për ngritjen e aktakuzës ndaj 12 personave të martën, Prokuroria tha se Dashnim Miftari dyshohet se ka bashkëpunuar në skemën mashtruese të importimit të derivateve të naftës përmes dy bizneseve “V. P.” SH.P.K. dhe “VEDV. G.” SH.P.K.

“Të pandehurit, pas shkarkimit të derivateve të naftës, mjetet transportuese i dyshohet se i kanë mbushuar me ujë dhe i kanë shkarkuar në lokacione të ndryshme në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Paparaci kishte raportuar më 1 korrik se në aksionin policor kundër skemës së mashtrimit me naftë, në pranga kishte rënë edhe Fatmir Visoka, pronar i Extra Petrol, një pike të derivateve në Hoçë të Madhe. Në të njëjtin aksion ishte arrestuar edhe familjari i tij Korab Visoka.

Prokuroria ka njoftuar sot se në mesin e të akuzuarve janë edhe dy persona me inicialet F.V. dhe K.V., të njëjta me ato të Fatmir dhe Korab Visokës. Megjithatë, Paparaci nuk ka arritur ende të konfirmojë nëse bëhet fjalë për të njëjtët persona.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, skema e dyshuar e mashtrimit të shtetit me importimin e ujit në vend të naftës i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 4,637,893.69 eurosh.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit