Kosova mes zjarrit të Tiranës dhe përgjegjësisë kombëtare

Shkruan; prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog

Nga këndvështrimi sociologjik, nuk do të doja që trazirat në Shqipëri Kosova t’i shohë ekskluzivisht përmes lupës politike, pra si raporte të një shteti fqinj, por si raporte të stabilitetit të hapësirës shqiptare dhe të sigurisë rajonale. Përkatësia kombëtare, në njëfarë mënyre, na obligon që, përveç kureshtjes politike, ta angazhojmë edhe kureshtjen rreth interesit që ne kemi kur janë në pyetje sidomos interesat tona shtetërore dhe ato kombëtare. Në këtë kontekst, kujtoj se këto interesa është mirë t’i konkretizojmë, në mënyrë që publiku ta kuptojë si peshën, ashtu edhe rëndësinë e kësaj problematike. Pra, interesi shtetëror, që në rastin e Kosovës, synon ta bëjë shtetin sovran, të sigurt dhe funksional, ndërkaq, kur janë në pyetje interesat kombëtare, duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me apologjinë identitare, pastaj me vlerat dhe perspektivën e përbashkët të kombit, kudo që jetojnë shqiptarët. Vlera këto të cilat duhet t’i ruajnë me xhelozinë më të madhe, të gjitha gjeneratat, të gjitha grupmoshat dhe të gjitha shtresat sociale, politike e ekonomike shqiptare.

Dhe po qe se këto dy kategori sociologjike tani bëjmë përpjekje t’i këndvështrojmë nga konteksti i trazirave në Shqipëri, më duhet të ritheksoj se, në këto rrethana kur kemi dhimbje të dyfishta, (në Shqipëri pothuajse një gjendje gati anarkike, e në Kosovë “betejat” politike për ta ruajtur edhe këtë pak sovranitet të kufizuar), duhet të ruajmë gjakftohtësinë dhe të mos futemi në asnjë konflikt të brendshëm partiak apo ideologjik. Ngase, në këto momente historike përparësi absolute në faza afatgjate duhet të kenë interesat shtetërore e sidomos ato të sigurisë, ku solidariteti dhe ndihma kombëtare duhet të shërbejnë si ura stabilizimi e unitetit social, jo si instrumente të polarizimit politik.

  1. Kosovës sot i duhen syçeltësia dhe diplomacia qetësuese e pajtuese kur janë në pyetje demonstratat (po them demonstratat, sepse ajo çfarë po ndodh atje ka kaluar kufijtë e standardit të protestës), e jo politika dhe diplomacia e përshkallëzimit dhe acarimit me shtetinë amë. Qeveria kosovare duhet të mbështesë dialogun institucional, respektimin e së drejtës për protestë paqësore po edhe hetimin e çdo pretendimi për përdorim joproporcional të forcës nga të dy palët që gjenden në konfrontim tashmë rrugor, e jo ta luajë “lojën e strucit” dhe të pres finalen e këtij demonatrimi civilizues.
  2. Tjetër, Kosova, në këto momente historike, si “vëllai” i vogël, duhet të shprehë solidaritet me shoqërinë, pra me qytetarët dhe kërkesat legjitime të studentëve për një arsim më cilësor, për zhvillim ekonimik, për llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi maksimale të shtetit shqiptar, e jo ta përdorë demonstrimin e studentëve dhe qytetarëve si “karburant” për instrumentalizim ditor politik. Kosova, në fakt, këtë solidaritet vëllazëror assesi nuk duhet ta shndërrojë në mbështetje automatike për ndonjë parti politike apo në ndonjë ndërhyrje në përcaktimin e mënyrës së tipit të qeverisjes së Shqipërisë.
  3. Sepse, në sociologjinë e konflikteve, është e njohur paradigma e situatave krizologjike, kur kundërshtari politik perceptohet si armik që duhet eliminuar, pra kur dhuna normalizohet dhe kur institucionet humbin aftësinë për ta ndërmjetësuar konfliktin, krijohet kaosi që nuk kontrollohet më. Andaj nuk ka nevojë që dikush si Kosova t’i “fryjë zjarrit” të zemërimit dhe revoltës, sidomos në kohën kur raportimet e fundit për përshkallëzimin e protestave në Tiranë tregojnë se ekzistojnë arsye të shumta për shqetësim serioz. Anipse, ato nuk mjaftojnë vetvetiu për të përfunduar se lufta civile është e pashmangshme.

S’ fundi duhet kuptuar se kur institucionet e një vendi nuk arrijnë t’i përthithin kërkesat fundamentale socioekonomike të një brezi të ri që pretendon futet në tregun e punës, protesta shumë lehtë mund të shndërrohen nga mekanizëm i presionit demokratik në një krizë të legjitimitetit shtetëror po edhe në një cenim serioz për interesat kombëtare. Në këto rrethana, roli i Kosovës nuk duhet të jetë eksportimi i rivaliteteve politike shqiptare, por forcimi i kanaleve të komunikimit, solidaritetit qytetar dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Dhe duke parë kështu këtë qëndrim vëllazëror të Kosovës kundruall Shqipërisë, është pak paradoksale, por si fakt është evident, që sa më shumë të thellohet kriza e brendshme në Shqipëri, aq më e rëndësishme duhet të bëhet pjekuria politike e Kosovës. Ngase, vetëm një Kosovë që mban qëndrim të matur mund të ndihmojë në uljen e tensioneve, ndërkaq një Kosovë që përfshihet në logjikën e kampeve politike mund t’i shtojë ato. Pra, Kosova në këto momente historike për gjithë shqiptarinë, duhet të bëhet faktor i stabilizimit, jo spektatore indiferente, por as protagoniste e një konflikti të brendshëm shqiptar…

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit