Nga Ismet Haziri
Situata në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Rinia shqiptare ka të drejtën e plotë të protestojë, të ngrejë zërin kundër padrejtësive dhe të kërkojë një të ardhme më të mirë. Kjo është një e drejtë themelore demokratike, e cila duhet respektuar dhe mbrojtur.
Por, në gjithë këtë stuhi pakënaqësish, duhet të shtrojmë një pyetje thelbësore: a mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë duke djegur e shkatërruar atë që brezat e mëparshëm e kanë ndërtuar me mund, sakrifica dhe djersë?
Pasuria publike është pasuri kombëtare. Ajo u përket të gjithë qytetarëve, sot dhe nesër. Shkatërrimi i saj nuk është vetëm dëm material, por edhe goditje ndaj përpjekjeve të brezave dhe mundësive të atyre që do të vijnë pas nesh.
Një shqetësim i veçantë është rreziku i infiltrimit dhe manipulimit të protestave. Kur të rinjtë, madje edhe nxënësit që janë ende në bankat e shkollës, gjenden në rrugë pa praninë dhe mbështetjen e duhur të prindërve e mësuesve, krijohet një hapësirë ku individë me interesa të ndryshme mund të përpiqen të ndikojnë te ta, ta devijojnë protestën dhe ta shndërrojnë zemërimin qytetar në dhunë e shkatërrim.
Nuk mund të përjashtohet si shqetësim mundësia që persona të lidhur me shërbime të ndryshme apo grupe me interesa të caktuara të përpiqen të shfrytëzojnë situata të tilla. Por këto dyshime duhet të hetohen dhe të vërtetohen me fakte, jo të shndërrohen në akuza të pabazuara. Pikërisht për këtë arsye duhen vigjilencë qytetare, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Prindërit dhe mësuesit duhet të jenë pranë të rinjve, jo për t’ua mohuar të drejtën e protestës, por për t’i ndihmuar të kuptojnë se si mbrohen të drejtat, si kërkohet drejtësia dhe si ushtrohet presioni demokratik pa rënë pre e manipulimeve. Rinia ka nevojë për mbështetje, orientim dhe edukim qytetar, jo për shfrytëzim nga kushdo që kërkon ta përdorë për qëllime të veta.
Në këtë situatë, çdo shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duhet të tregojë kujdes të veçantë. Nuk duhet të biem pre e provokimeve, dezinformatave, thirrjeve për dhunë apo manipulimeve që synojnë të na vënë kundër njëri-tjetrit. Duhet të mësojmë të dallojmë protestën e ligjshme nga aktet e dhunshme dhe kërkesat e drejta nga përpjekjet për të shkatërruar atë që është ndërtuar me shumë mund.
Pozita dhe opozita në Shqipëri kanë përgjegjësitë e tyre. Qeveria duhet t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve dhe të garantojë të drejtën e protestës. Opozita duhet të dëshmojë se kërkimi i ndryshimit politik nuk mund të vihet mbi interesin e vendit. Asnjë interes partiak dhe asnjë ambicie për pushtet nuk duhet të justifikojë dhunën, djegiet apo shkatërrimin e pasurisë publike.
Nga Kosova, ne duhet ta shohim Shqipërinë si një vlerë kombëtare dhe strategjike, jo si një arenë ku përçarja e shkatërrimi mund të kalojnë si mjete të zakonshme politike.
Një Shqipëri e dobësuar, e përçarë dhe e destabilizuar nuk i shërben së ardhmes së shqiptarëve. Përkundrazi, një Shqipëri demokratike, e fortë ekonomikisht, me institucione të qëndrueshme dhe me perspektivë të qartë evropiane, është në interes të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.
Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian kërkon demokraci funksionale, sundim të ligjit, institucione të besueshme dhe qytetarë që i mbrojnë të drejtat e tyre pa shkatërruar pasurinë e përbashkët. Përparimi i Shqipërisë e forcon edhe zërin e saj në mbështetje të Kosovës dhe të aspiratave tona të përbashkëta evropiane.
Prandaj, apeli im për çdo shqiptar është i qartë: të jemi vigjilentë, të mos biem pre e manipulimeve dhe të mos lejojmë që askush, për interesa të ngushta apo për qëllime destabilizuese, të shkatërrojë arritjet e Shqipërisë dhe Kosovës.
Të mbrojmë rininë, të mbrojmë të drejtën për protestë, të kërkojmë drejtësi dhe llogaridhënie, por të mbrojmë edhe pasurinë tonë kombëtare.








