Bashkimi Evropian në Kosovë ka përshëndetur miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Përmes një njoftimi, ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, ka thënë se miratimi i këtij ligji e afron Kosovën më shumë me anëtarësimin në SEPA dhe integrimin gradual në Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian.
“Me miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi dje, Kosova ka bërë një hap tjetër drejt anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së”, ka deklaruar Schuebel.
Ai ka theksuar se anëtarësimi në SEPA do t’i lehtësojë pagesat dhe transfertat e parave drejt dhe nga vendet pjesëmarrëse, duke i bërë ato më të shpejta dhe më të lira.
“Ky është një lajm i mirë! Pasi Kosova të anëtarësohet në SEPA, pagesat dhe transfertat e parave drejt dhe nga vendet e zonës SEPA do të bëhen më të lehta, më të shpejta dhe më të lira, duke u kursyer bizneseve dhe qytetarëve kohë dhe para”, ka thënë ambasadori i BE-së.








