Protestat në Shqipëri po marrin përmasa më të gjera, ndërsa pakënaqësia e të rinjve lidhet me mundësitë e kufizuara të punësimit, problemet në arsim dhe akuzat për korrupsion në nivelet e larta të pushtetit.
Për këto zhvillime ka raportuar edhe gazeta zvicerane “Blick”, e cila ka analizuar arsyet që po i shtyjnë qytetarët të dalin në rrugë dhe përshkallëzimin e protestave kundër qeverisë shqiptare.
Sipas mediumit zviceran, zemërimi fillestar ndaj projektit për ndërtimin e një resorti luksoz pranë lagunës së Nartës, ku jetojnë flamingot, është zgjeruar edhe në pakënaqësi ndaj qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Projekti lidhet me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa investitorët kanë përfituar një status të veçantë nga autoritetet shqiptare.
Një ndër faktorët kryesorë që ushqen pakënaqësinë është edhe papunësia. Sipas të dhënave të cituara nga “Blick”, rreth 18 për qind e shqiptarëve nën moshën 29-vjeçare janë pa punë.
Historiani dhe eksperti i Ballkanit, Konrad Clewing, vlerëson se mundësitë në tregun e punës janë të kufizuara për personat pa arsim të lartë, ndërsa vendet e punës në industri janë të pakta.
Problemet në arsim, përfshirë infrastrukturën e amortizuar dhe programet mësimore që nuk u përgjigjen plotësisht kërkesave moderne, janë një tjetër burim pakënaqësie, sipas analizës së mediumit zviceran.
Në artikull përmenden edhe akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, të cilat kanë ndikuar në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.
“Blick” vë në dukje se opozita po përpiqet t’i shfrytëzojë protestat politikisht. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mosbindje civile. Megjithatë, eksperti Clewing thekson se nuk mund të provohet përfundimisht se protestat janë infiltruar nga opozita.
Ndërkohë, kryeministri Rama ka fajësuar protestuesit për dëmet e shkaktuara në institucione arsimore dhe publike.
Analiza trajton edhe tensionet në rajon, duke përmendur protestat në Kosovë lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, si dhe praninë e simboleve të UÇK-së në protestat në Tiranë.
Clewing ngre gjithashtu mundësinë që aktorë të jashtëm të përpiqen të shfrytëzojnë tensionet në rajon për të penguar afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Megjithatë, artikulli nuk paraqet prova konkrete për përfshirje të tillë në protestat aktuale.
Pavarësisht ndasive politike dhe pakënaqësive të brendshme, mbështetja për integrimin evropian mbetet e lartë. Sipas shifrës së cituar nga “Blick”, 96 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.








